Evropa drejt rihapjes, Gjermania po hap shkollat, Spanja e Franca vazhdojnë me masat e njëjta

  • 20 April 2020 - 17:08
Evropa drejt rihapjes, Gjermania po hap shkollat, Spanja e Franca vazhdojnë me masat e njëjta

Edhe pse ekspertët e shëndetësisë këmbëngulin se pandemia është ende larg fundit, shumë shtete evropiane po nxitojnë të lehtësojnë masat kufizuese.

Gjermania prin listën e vendeve që po rihapin gradualisht jetën sociale dhe ekonomike në vend, mes sheshimit të kurbës së infeksioneve të reja dhe bindjes së autoriteteve se pandemia është tashmë nën kontroll.

Dyqanet e vogla, ato të biçikletave dhe libraritë u lejuan të hapin dyert nga e hëna, nën udhëzimet për respektimin e distancës sociale. Shkollat mbeten përgjithësisht të mbyllura, por klasat që janë në prag të diplomimit do të rinisin gradualisht mësimin dhe universitetet do të lejohen të kryejnë provimet. Të gjitha masat e tjera do të qëndrojnë në fuqi.

Të hënën, Gjermania raportoi mbi 1700 raste të reja, ndërsa numri i vdekjeve nga Covid-19 u rrit me 110 viktima, për një total prej 4404 vdekje.

Rihapen kopshtet në Norvegji, ndërsa Polonia po lejon vizitat në parqe e pyje. Në Danimarkë, ku shkollat fillore dhe çerdhet janë hapur që prej së mëkurës, po ngrenë qepenët edhe biznese të tilla si parukeritë e dentistët.

Spanja shënoi të hënën numrin më të ulët të viktimave që prej shpërthimit të pandemisë, me 399 vdekje të reja në 24 orët e fundit, për një total prej mbi 20 mijë e 800 të vdekurish. Megjithatë, autoritetet nuk kanë në plan të nisin së shpejti rikthimin gradual drejt normalitetit. Kryeministri Pedro Sanchez do të diskutojë me opozitën për një reagim të unifikuar ndaj krizës.

Gjithashtu, Franca po heziton të lehtësojë masat, ndërsa kryeministri Eduard Filip këmbëngul se kriza nuk ka përfunduar. Me gjasë, përmirësimi është i pamohueshëm dhe numri i personave në kujdes intensiv ka rënë ndjeshëm. Franca numëron gati 20 mijë vdekje nga Covid-19, me 395 humbje jetësh vetëm në 24 orët e fundit.

Autoritetet paralajmërojnë se kriza ekonomike në vend sapo ka filluar dhe impakti i saj do të jetë brutal.

(Kosova Sot Online)