Nisin hetimet ndaj personit me emrin Patris Bondi i cili e quajti prostitutë një viktimë të dhunës seksuale të luftës

  • 20 April 2020 - 17:24
 Nisin hetimet ndaj personit me emrin Patris Bondi i cili e quajti prostitutë një viktimë të dhunës seksuale të luftës

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka autorizuar Policinë e Kosovës që të nis hetimet ndaj personit i cili përmes rrjetit social ka fyer një grua të dhunuar gjatë luftës në Kosovë, duke e quajtur prostitutë, vetëm pse kritikoi kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.

Në një njoftim për media, Prokuroria themelore njofton se ka kërkuar nga Njësinë për Hetimin e Krimeve Kibernetike pranë Policisë së Kosovës, që të verifikojë llogarinë me emrin Patris Bond, në rrjetin social Facebook.

Kjo llogari menjëherë është mbyllur dhe nuk ekziston më ky profil në rrjetin social Facebook.

Njoftimi i plotë i Prokurorisë Themelore në Prishtinë:

Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinionin publik se sot ka autorizuar Policinë e Kosovës, për ndërmarrjen e veprimeve hetimore lidhur me artikullin e publikuar në portalin Indeksonline “E ulët sa ska më, komentuesi e quan të dhunuarën  kosovare të luftës si prositutë, veç pse i reagoi Albin Kurtit”.

Përmes rrjetit social “facebook”, një person nga profili i tij me emrin Patris Bondi e ka ofenduar rëndë një të mbijetuar të dhunës seksuale në Kosovë, ashtu që sipas informatave të para zyrtare, profili me këtë emër është mbyllur dhe nuk figuron më në rrjetin social “facebook”, prandaj, Prokurori i Shtetit ka autorizuar Njësinë për Hetimin e Krimeve Kibernetike pranë Policisë së Kosovës, që të verifikojë këtë llogari dhe të ndërmerr veprime hetimore në funksion të zbulimit dhe identifikimit të dyshuarit, po ashtu ka iniciuar rast në drejtim të veprës penale “Ngacmimi” nga neni 182 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

(Kosova Sot Online)