Rrëfehet pacienti i parë me koronavirus në Itali: Pashë vdekjen dhe u ringjalla

  • 21 April 2020 - 19:22
 Rrëfehet pacienti i parë me koronavirus në Itali: Pashë vdekjen dhe u ringjalla

Pasi qëndroi dy muaj i shtruar në spital dhe pas një rrugëtimi të gjatë e të lodhshëm, Mattia Maestri, pacienti ‘zero’ në Itali, flet për herë të parë për mediat, ndërsa tregon se si e fitoi betejën përballë koronavirusit.

“Këta dy muaj kanë qenë tronditës, shumë më tepër se të paimagjinueshëm, tamam si një film. Papritmas u sëmura, erdha një hap larg nga vdekja dhe u ringjalla. Familja ime u infektua. Gruaja dhe nëna ime u shëruan, por virusi i panjohur më vrau babain. Giulia, vajza jonë e parë, më në fund lindi. Mësova të rezistoja dhe të besoja në ndryshimin midis besimit dhe utopisë.”, tha ai për ‘Republica’. Teksa kthehet pas në kohë, Mattia tregon se në datën 17 shkurt kishte pasur temperaturë të lartë, gjë që e detyroi që të paraqitej në spital. Pas vizitës me mjekun, ky i fundit i dha një antibiotik dhe e këshilloi që të kthehej në shtëpi.

Por, pas dy ditëve gjendja e tij shëndetësore vetëm sa u rëndua, kështu u detyrua sërish të shkoj në spital. Aty mjekët i thanë se mushkëritë i janë infektuar rëndë. Askush nuk e kishte të qartë se çfarë po ndodhte me të, derisa një anesteziologe u kujtua që t’ia bëjë testin e COVID-19, edhe pse asokohe asnjë rast nuk ishte raportuar në Evropë. Pasi u shtrua në Kodonia, 38-vjeçari u dërgua në spitalin e Pavias, ku qëndroi për 20 ditë në koma.

“Kam qenë në komë dhe e shihja vdekjen më sytë e mi, por tani po e shoh diellin”, e ka përshkruar momentin më kritik pacienti italian. Për të ishte e rëndë dhe fakti se kur u infektua edhe bashkëshortja e tij, ajo ishte në muajin e 8 të shtatzënisë, por për fat të mirë gjithçka shkoi mirë, vajza erdhi në jetë shëndoshë e mirë. Sipas tij, ajo çfarë do të mbetet mister është fakti se kush e infektoi me COVID-19.

(Kosova Sot Online)