Ambasada e SHBA’së uron Kosovën për pavarësimin e rrjetit energjetik

  • 21 April 2020 - 20:39
 Ambasada e SHBA’së uron Kosovën për pavarësimin e rrjetit energjetik

Ambasada e SHBA’së ka përshëndetur pranimin e Kosovës në rrjetin energjetik europian si shtet i pavarur. Po ashtu ajo mbështet shtetin në zbatimin e këtij vendimi dhe pret të punojë me Kosovën në integrimin e saj në komunitetin europian.

Ministrja e Ekonomisë, Rozeta Hajdari, kishte njoftuar se të hënën ka përfunduar procesi i votimit të marrëveshjes së re të kyçjes KOSTT – ENTSO-E.

“Me votimin e sotëm dhe nënshkrimin që do të pasojë, të Marrëveshjes së Re të Kyçjes ndërmjet KOSTT dhe ENTSO-E, KOSTT dhe Republika e Kosovës fitojnë pavarësinë energjetike, për të cilën është punuar disa vite me radhë”, ka njoftuar Hajdari përmes Facebook.

‘’Ambasada e ShBA-ve uron Kosovën për arritjen e marrëveshjes me Rrjetit Evropian të Operatorëve të Sistemit të Transmisionit për Energji (ENTSO) dhe anëtarët e Grupit Rajonal të Evropës Kontinentale lidhur me kushtet që duhet plotësuar për t’u lidhur me rrjetin elektrik evropian. Miratimi i kësaj marrëveshjeje arrin kulminacionin e projektit të filluar në vitin 2013, për të sjellur siguri energjetike më të madhe për rajonin. Shtetet e Bashkuara kanë inkurajuar palët që të gjejnë zgjidhje kreative dhe të qëndrueshme për të nxitur integrimin e mëtejshëm ekonomik. Ne mezi presim që të vazhdojmë të punojmë me Kosovën dhe partnerët e saj të shumtë gjersa ajo zbaton këtë vendim dhe vazhdon integrimin e saj në komunitetin evropian.’’, thuhet në deklaratën e Ambasadës së ShBA-ve për ENTSO Marrëveshjen e Kosovës.

(Kosova Sot Online)