Thaçi: Qeverinë e re do ta kemi në ditët e ardhshme, 91 deputetë janë pro

  • 22 April 2020 - 18:32
 Thaçi: Qeverinë e re do ta kemi në ditët e ardhshme, 91 deputetë janë pro

Presidenti Hashim Thaçi, pas takimit me përfaqësuesit e partive politike, thotë se ka marë pëlqimin e shumicës që të formohet një Qeveri e re.

Thaçi përlqimin e partive e ka konvertuar në numrin e deputetëve, duke thënë se nga partitë që përfaqësojnë 120 deputetë, përfaqësuesit e 91 prej tyre kanë qenë kundër shpalljes së zgjedhjeve dhe pro një Qeverie të re.

“Sapo përfundova takimin me liderët e partive politike të përfaqësuara në Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe nga 120 deputetë, përfaqësuesit e 91 prej tyre u shprehën për krijimin e një Qeverie të re të dalë nga zgjedhjet e 6 tetorit 2019. Unë do ta respektoj vullnetin e tyre, Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës”, ka shkruar Thaçi.

Presidenti i vendit e ka paralajmëruar Qeverinë e re në ditët e ardhshme dhe ka vendosur që të mos shpërndahet Kuvendi.

“Në ditët e ardhshme, Kosova do të ketë Qeveri të re dhe nuk do të ketë shpërbërje të Kuvendit dhe as zgjedhje të reja. Kosova ka aftësi dhe maturi që edhe përkundër kësaj pandemie të formojë Qeveri të re dhe të garantojë funksionimin demokratik të institucioneve të Republikës së Kosovës”.

(Kosova Sot Online)