Mbi 60 mijë punëtorë aplikojnë për kompensim të pagave

  • 22 April 2020 - 19:57
 Mbi 60 mijë punëtorë aplikojnë për kompensim të pagave

Mbi 60 mijë punëtorë të kompanive të ndryshme private në Kosovë, kanë parashtruar kërkesa për kompensim të pagave në Administratën Tatimore të Kosovës (ATK), në mënyrë që të përfitojnë nga pako emergjente fiskale e Qeverisë së Kosovës.

Ilir Murtezaj drejtor i përgjithshëm i ATK-se, tha për Radion Evropa e Lirë, se nga data 11 prill, kur ka filluar aplikimi në sistemin elektronik për përfitime nga pakoja fiskale, e deri më sot, në ATK kërkesa për kompensim dhe subvencionim të qirasë kanë paraqitur gjithsej 13,547 biznese.

Qeveria e Kosovës më 13 mars, ka marrë vendim për mbylljen e bizneseve për shkak të frenimit të përhapjes së sëmundjes COVID-19, që shkakton koronavirusi i ri.

Por, për t’iu dalë në ndihmë bizneseve dhe kategorive tjera të shoqërisë, Qeveria e Kosovës, me propozimin e Ministrisë së Financave dhe Transfereve, ka miratuar Pakon Emergjente Fiskale në vlerë prej 179,6 milion euro, e cila duhet të zbatohet nga ATK-ja.

Nga kjo vlerë 61 million euro janë ndarë për pagat e punëtorët në vlerë 170 respektivisht 130 euro për dy muajt e ardhshëm, që kanë humbur punën për shkak të pandemisë, subvencionim të qirasë për 50 për qind dhe kontributeve pensionale.

(Kosova Sot Online)