Kurti sot i shkroi Gjykatës Kushtetuese në lidhje me lëndën e PDK’së, i kërkoi t’i respektojnë ligjet

  • 23 April 2020 - 19:01
 Kurti sot i shkroi Gjykatës Kushtetuese në lidhje me lëndën e PDK’së, i kërkoi t’i respektojnë ligjet

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka dërguar sot në Gjykatë Kushtetuese një parashtresë përmes të cilës ka theksuar shqetësimet që siç shkruhet në njoftim janë krijuar pas kërkesës së drejtuar nga deputetë të PDK’së.

Në një njoftim për media të zyrës së Kurtit bëhet e ditur se ai ka theksuar rëndësinë e respektimit dhe zbatimit të ligjeve të miratuara nga Kuvendi i Republikës së Kosovës edhe nga ana e Gjykatës Kushtetuese gjatë zhvillimit të procedurave.

Kurti ka kërkuar nga Gjykata që të respektojë afatet ligjore të përcaktuara me Ligjin për Gjykatën Kushtetuese i cili i njeh Qeverisë një afat prej 45 ditësh për t’u përgjigjur në kërkesën e dorëzuar, dhe jo një afat 4 ditor sikurse e kishte theksuar Gjykata në njoftimin e saj.

“Po ashtu, ai theksoi shqetësimin se për dallim nga rasti konkret, ku po procedohet me kërkesën e deputetëve të Kuvendit, ndonëse të njëjtit nuk e kanë qartësuar dhe saktësuar kërkesën e tyre, në praktikën e Gjykatës Kushtetuese ka disa raste të cilat janë refuzuar në procedurë të shkurtër sipas Rregullit 35.5 të Rregullores së Punës së Gjykatës”.

Kryeministri në detyrë tha se Qeveria me tërë kapacitetin e saj është e përkushtuar në luftën kundër infeksionit COVID-19 dhe pret që Gjykata, ngjashëm sikurse institucionet ekuivalente me të në shtetet perëndimore, të tregojë kujdes të veçantë ndaj jetës dhe shëndetit të qytetarëve.

Partia Demokratike e Kosovës iu është drejtuar për interpretim Gjykatës Kushtetuese lidhur me vendimet që ka marrë Ministria në detyrë e Shëndetësisë për qarkullimin e qytetarëve në orare të caktuara.

(Kosova Sot Online)