Nënshkruhen marrëveshje të reja mes Kosovës dhe Shqipërisë, në fushën e politikës së jashtme dhe integrimit evropian

  • 24 prill 2020 - 19:04
Nënshkruhen marrëveshje të reja mes Kosovës dhe Shqipërisë, në fushën e politikës së jashtme dhe integrimit evropian

Ministri i jashtëm i Shqipërisë, Gent Cakaj, ka njoftuar për marrëveshje të reja me Kosovën.

“Sot përfunduam edhe tre marrëveshje shumë të rëndësishme me Republikën e Kosovës në fushën e politikës së jashtme dhe integrimit evropian. Me Ministrin e Integrimit Evropian, Blerim Reka, kemi mbyllur marrëveshjen për të shkëmbyer përvojat dhe ekspertizën në çështje të organizimit të strukturave përgjegjëse për integrim, procesit të përafrimit të legjislacionit dhe bashkëpunim më të përgjithshëm politik në kuadër të synimit për anëtarësim në BE. Tani e tutje, dy Ministritë çdo vit do të organizojnë edhe konferencën e përbashkët për diskutim e shtjellim të shumë çështjeve që lidhen me integrimin evropian”, shkruan Cakaj n; Facebook.

Tutje, ai shkruan se “me Ministrin e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, ndërkaq, kemi mbyllur marrëveshjen për fuqizimin e diplomacisë publike, mes të tjerash, duke unifikuar plotësisht kalendarin e aktiviteteve kulturore she përcaktuar një plan konkret për promovimin e imazhit dhe prodhimeve të dy vendeve”.

“Gjithsesi, shumë me rëndësi mbetet marrëveshja për një varg angazhimesh në fushën e politikës së jashtme që, gjithashtu, përfshinë edhe krijimin e një skuadre me përfaqësues specialë për mbrojtjen e lartësimin e interesave të dy vendeve”, shkruan Cakaj.

Po ashtu, thotë Cakaj, nëpërmjet një letre zyrtare, “i kam kërkuar pëlqimin Konjufca për të vazhduar projektin e zhvillimit të Ambasadave dhe Konsullatave me hapësira të përbashkëta”.

“Pavarësisht pandemisë, puna jonë nuk është ndalur dhe përkushtimi ynë për maksimizim të bashkëpunimit me Kosovën është i patjetërsueshëm”, tha ai.

(Kosova Sot Online)