Mbi 700 të infektuar me koronavirus në Kosovë

  • 25 April 2020 - 07:57
Mbi 700 të infektuar me koronavirus në Kosovë

Në Kosovë janë konfirmuar të premten edhe 34 raste të reja me koronavirus. Me këtë shifër, numri i të infektuarve në gjithë vendin shkon në mbi 700.

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik (IKSHPK) mbrëmë ka njoftuar se janë testuar 263 mostra të marra nga Klinika Infektive, nga gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren, si dhe nga karantina në Qendrën studentore.

Nga testimi i këtyre mostrave, 34 kanë rezultuar pozitive. Rastet pozitive janë raste kontakti nga Gjilani, Prizreni, Ferizaj, Rahoveci, Dragashi, Prishtina, Skenderaj, Malisheva dhe Zveçani.

“Sot më 24 prill 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 263 mostra të marra nga Klinika Infektive, gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren si dhe nga karantina në Qendrën studentore. Me SARS-CoV-2, janë diagnostikuar gjithsej tridhjetë e katër (34) raste”, thuhet në njoftim.

Aty po ashtu bëhet e ditur se janë shëruar edhe tre pacientë, të cilët e çojnë në 162 numrin e përgjithshëm të të shëruarve.

Me shifrat e fundit, numri i të infektuarve me koronavirus në Kosovë shkon në 703. Deri tani, nëntëmbëdhjetë pacientë kanë humbur jetën.

Më qëllim të parandalimit të përhapjes së sëmundjes Covid-19, që shkakton koronavirusi, javën e kaluar në Kosovë kanë hyrë në fuqi masat e reja të qarkullimit të qytetarëve.

Bazuar në masat e vendosura nga Ministria në detyrë e Shëndetësisë, qytetarët mund të dalin nga shtëpitë e tyre vetëm për 90 minuta në ditë, me qëllim furnizimi.

Orari i daljes është i organizuar në shtatë grupe, nga ora 07:00 deri në 22:30, dhe përcaktohet nga numri i parafundit personal në letërnjoftim.

Këto masa do të vlejnë deri më 4 maj, porse do të shqyrtohen në varësi të rezultateve, jo më vonë se data 30 prill.

(Kosova Sot Online )