Shtetet e Bashkuara shënojnë rekord të rasteve të reja të virusit për 24 orë

  • 25 April 2020 - 09:23
Shtetet e Bashkuara shënojnë rekord të rasteve të reja të virusit për 24 orë

Shtetet e Bashkuara kanë shënuar rekord të numrit të rasteve të reja të koronavirusit për 24 orë. Për një ditë, në këtë vend u regjistruan 36,008 të infektuar të rinj me Covid-19.

Kështu, numri i përgjithshëm i personave të infektuar me koronavirus në Shtetet e Bashkuara shkoi në 927,360 dhe shumë shpejt po i afrohet 1 milionëshit, nëse rastet vazhdojnë të shtohen me këtë ritëm.

Megjithatë, numri i të vdekurve në 24 orët e fundit shënoi rënie në krahasim me ditën paraprake. Në këtë periudhë u regjistruan 2,113 viktima, ndërsa të premten u raportuan 2,416 të vdekur. Më së shumti raste fatale për një ditë u shënuan më 15 prill – 2,524.

Rekordi i mëparshëm i rasteve të reja të infektimeve për 24 orë ishte shënuar më 10 prill, kur ishin konfirmuar 35,579 të infektuar. Ky rekord ishte afër të ndryshohet edhe të enjten, kur u shënuan 34,828 raste.

Instituti për Matje dhe Vlerësime Mjekësore i Universitetit të Uashingtonit ka parashikuar se rreth 66 mijë njerëz do të vdesin nga koronavirusi në Shtetet e Bashkuara deri në muajin gusht, ndonëse më parë ishin parashikuar rreth 5,500 viktima më pak deri në atë periudhë.

Pavarësisht rritjes së numrit të rasteve, mijëra amerikanë ua mësynë plazheve të hapura të Kalifornisë gjatë motit të ngrohtë të premten, ndonëse guvernatori Gavin Neësom bëri thirrje që njerëzit të qëndrojnë në shtëpi.

(Kosova Sot Online )