Presidenti iranian: E vëzhgojmë nga afër ShBA-në, por nuk e nisim konfliktin

  • 25 April 2020 - 15:02
Presidenti iranian: E vëzhgojmë nga afër ShBA-në, por nuk e nisim konfliktin

Presidenti iranian: E vëzhgojmë nga afër ShBA-në, por nuk e nisim konfliktin

Presidenti i Iranit, Hassan Rouhani, tha të shtunën se Teherani do t’i përcjellë nga afër aktivitetet e Shteteve të Bashkuara, por kurrë nuk do të nisë një konflikt në rajon.

Komentet e Rouhani-t, të cilat vijnë në kohën e rritjes së tensioneve mes Uashingtonit dhe Teheranit, u bënë gjatë një bisede telefonike që ai e kishte me emirin e Katarit, Sheikh Tamim bin Hamad al-Thani, raportojnë mediet shtetërore iraniane.

“Republika Islamike e Iranit i përcjell aktivitetet dhe lëvizjet e Amerikës për së afërmi, por kurrë nuk do të jetë ajo që i fillon konfliktet dhe tensionet në rajon”, citohet të ketë thënë presidenti iranian gjatë kësaj bisede, të zhvilluar me rastin e fillimit të muajit të Ramazanit.

Ndryshe, presidenti amerikan, Donald Trump, tha të mërkurën se i ka autorizuar forcat detare që të hapin zjarr ndaj anijeve iraniane, nëse këto të fundit i pengojnë ose i kërcënojnë anijet amerikane.

Më herët gjatë këtij muaji, ushtria amerikane tha se 11 barka të Rojeve Revolucionare të Iranit iu afruan anijeve amerikane në Gjirin Persik, duke e cilësuar këtë veprim si të rrezikshëm dhe provokues.

(Kosova Sot Online)