Itali, 150.000 testime serologjike duke nisur nga 4 maji

  • 25 April 2020 - 18:32
 Itali, 150.000 testime serologjike duke nisur nga 4 maji

Italia do të fillojë duke nisur nga 4 maji një fushatë të testimeve serologjike tek 150 000 persona në shkallë kombëtare në përpjekje për të mësuar më shumë mbi epideminë e COVID-19, njoftoi sot i ngarkuari i qeverisë me menaxhimin e krizës lidhur me epideminën e koronavirusit të ri, Domenico Arcuri.

“Ne do të shpërndajmë teste në 20 rajone të Italisë, në funksion të popullsisë dhe sipas kritereve të tjera të vendosura nga Instituti Kombëtar i Statistikave (Istat)”,deklaroi për shtypin Arcuri, i cili është ngarkuar për menaxhimin e krizës lidhur me epideminë të COVID-19.

Kjo pandemi ka shkaktuar rreth 26 000 të vdekur në Itali.

Ai theksoi se nuk ekziston asnjë test i besueshëm 100%, duke shtuar se kompania, testet serologjike të së cilës janë zgjedhur, do t’i ofrojë ato falas dhe se ato tejkalojnë saktësinë e 95% të rezultateve.

Lombardia, rajoni më i prekur i Italisë me më shumë se gjysmën e numrit të të vdekurve, me rreth 13 100 të regjistruara në gadishull, ka filluar tashmë këtë javë këto teste serologjike.

Këto të fundit mundësojnë gjetjen e antikorpeve në popullsi dhe mund të përcaktojnë nëse një person është i imunizuar kundër një infeksioni të ri, edhe pse kjo mbetet vetëm një hipotezë për momentin.

(Kosova Sot Online)