Denoncon Profesori i njohur: Vrapojnë për ta kapur pushtetin e shkatërrojnë ekonominë dhe e zhvatin shtetin

  • 28 April 2020 - 06:49
Denoncon Profesori i njohur: Vrapojnë për ta kapur pushtetin e shkatërrojnë ekonominë dhe e zhvatin shtetin

“Tani edhe fushata për formim të Qeverisë edhe në kundërshtim me Kushtetutën, pos klimës së pa favorshme ekonomike e shëndetësore, krijon edhe klimë të acaruar në opinionin publik, prandaj është krijuar një pikëpamje sa shqetësuese po aq edhe dëshpëruese. Aq më parë kur vendi është në ankth të shkaktuar nga problemet socio ekonomike, pandemia, korrupsioni, pasurimet ilegale, trazimi i klimës dhe jetës politike, gjendjen e tillë e përkeqëson dhe e turbullon në dimensione akoma më të gjëra”, thotë profesor Riza Smaka për “Kosova Sot Online”.

Image
Riza Smaka

Acarimi në vazhdim i skenës politike në vend, sidomos tani pas formimit të Qeverisë së re Kurti, rrëzimit të saj të shpejtë me mocionin e partnerit LDK, dhe lufta e pa kompromis që po zhvillohet për ta marr pushtetin po nga LDK-ja me ish partnerët e PAN-it, sipas profesorit të së drejtës Riza Smaka, është duke reflektuar tepër negativisht në rrafshin e zhvillimit ekonomik të vendit. Profesor Smaka thotë për “Kosova Sot Online” se kjo krizë që ka shpërthyer tani, e shoqëruar edhe me krizën globale të pandemisë së koronavirusit, po e bënë akoma më të thellë krizën ekonomike në vend, të cilës po i kontribuojnë me sjelljet e pa përgjegjshme edhe partitë politike që e orkestruan dhe realizuan “grusht shtetin” ndaj Qeverisë Kurti, duke krijuar kështu klimë akoma më të frikshme për investimet e huaja të cilat edhe ashtu ishin të mangëta gjatë mandatit të kaluar Qeverisë, madje me tendencë të zvogëlimit të vazhdueshëm për shkak të nivelit të lartë të korrupsionit, kurse normat e kredive bankare vazhdojnë të jenë akoma të larta.

“Nga shkaku i nivelit të lartë të korrupsionit dhe të krimit të organizuar, investimet nga jashtë në vendin tone ,ishin të ulëta dhe ato me trend të rënies. Shkalla e normave të interesave kredive të bankave, për kredi prodhuese, kurdoherë ishin të larta e destimulative. Niveli i lartë i papunësisë kurdoherë ishte i lartë i cili ka ndikuar në emigrime të shumta të të rinjve dhe të rejave. Së andejmi ekonomia e vendit tonë ishte dhe është tejet e dobët. Trajtimi i referohet periudhës deri në manifestimin e pandemisë edhe në vendin tonë. Gjendjen e tillë e ka përkeqësuar edhe fushata e opozitës për ta rrëzuar Qeverinë me metodat makiaveliste”, thotë Smaka për “Kosova Sot Online”.

Aq me tepër kjo situatë vjen e ngarkohet, bëhet akoma më e pa qartë dhe me mundësi të thellimit të krizës, kur shihen veprimet kundër kushtetuese të bërjes së Qeverisë së re nga LDK me ish partitë politike në opozitë të këtij mandati të ri, e që mundë të jetë edhe kjo një Qeveri afatshkurtër dhe aspak funksionale e aspak stabile. “Miratimi i mocionit të mosbesimit ka shkaktuar impakte negative në të gjitha sferat shoqërore, veçanërisht në rrjedhat ekonomike ashtu që Qeverinë aktuale pashmangshëm e kanë afektuar në një anë dhe proklamimet e formatit elektoral të Qeverisë që pretendon të formohet në anën tjetër. Të gjitha këto janë reflektuar në krijim të klimës shoqërore nebuloze,të pa qartë dhe të pa sigurt. Tani edhe fushata për formim të Qeverisë edhe në kundërshtim me Kushtetutën, pos klimës së pa favorshme ekonomike e shëndetësore, krijon edhe klimë të acaruar në opinionin publik, prandaj është krijuar një pikëpamje sa shqetësuese po aq edhe dëshpëruese. Aq më parë kur vendi është në ankth të shkaktuar nga problemet socio ekonomike, pandemia, korrupsioni, pasurimet ilegale, trazimi i klimës dhe jetës politike, gjendjen e tillë e përkeqëson dhe e turbullon në dimensione akoma më të gjëra”, thotë profesor Smaka për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)