Haradinaj: Drejtësi, drejtësi, drejtësi, për viktimat e krimeve të Millosheviqit

  • 29 April 2020 - 22:57
Haradinaj: Drejtësi, drejtësi, drejtësi, për viktimat e krimeve të Millosheviqit

Për debatin mbi idetë për aministi të krimeve të luftës, ka folur kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, duke thënë se krimet gjenocidiale të Millosheviqit nuk mund të falen.

“Drejtësi, drejtësi, drejtësi për viktimat”, është shprehur dy herë Haradinaj, kur është pyetur për këtë çështje.

Ai ka thënë se e gjitha bota e di se çfarë ka ndodhur në luftën e viteve ’98-99, dhe se askush nuk mund ta ndryshojë atë që ka ndodhur.

“Gjithë bota e dinë çfarë ka ndodh në luftën e viteve ’98-99. Regjimi i Millosheviqit ka kryer gjenocid, dhe kjo e detyroi botën dhe NATO-n që të ndërhyjë në Kosovë. Askush nuk mund ta ndryshojë atë që ka ndodh”, ka thënë Haradinaj.

Haradinaj ka thënë se Kosova nuk duhet të ndihet inferiore në këtë çështje. Ai ka shprehur gatishmërinë e tij që luftën e pastër të UÇK-së ta mbrojë para çdo gjykate, siç e ka mbrojtur disa herë.

“Kosova nuk e ka asnjë  arsye që ta ketë ndonjë pozicion inferior në këtë çështje. Ne duhet të kemi drejtësi, drejtësi, drejtësi për viktimat. Gjithë jetën mund të përballem me çfarëdo institucioni të drejtësisë, sepse besoj në pastërtinë e luftës sonë.Pra, drejtësi, drejtësi, drejtësi, për viktimat e krimeve të Millosheviqit”, ka thënë kryetari i AAK-së.

(Kosova Sot Online)