Ministrja e Ekonomisë flet për hapje graduale të ekonomisë në vend

  • 30 April 2020 - 16:25
 Ministrja e Ekonomisë flet për hapje graduale të ekonomisë në vend

Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Rozeta Hajdari, thotë se ka nisur lehtësimi i masave në vend dhe se Qeveria është e vetëdijshme për humbjet ekonomike, prandaj po fillon rikthimi gradual në normalitet.

“Ne po fillojmë hapjen graduale të ekonomisë, dhe si ministre duhet të them se me ministrin e shëndetësisë, masat e mëhershme i kemi marrë për ruajtjen e resurseve njerëzore”, ka thënë Hajdari.

“Kemi filluar hapjen graduale se jemi të vetëdijshëm për humbjet ekonomike, duke filluar nga likuiditeti. Jam e vetëdijshme që shumë punëtorë kanë humbur kontratat e tyre”, ka shtuar ajo.

“Ka shumë humbje, por kemi edhe shumë shpresë”, ka thënë Hajdari.

Ndërkaq Berat Rukiqi nga Oda Ekonomike e Kosovës ka thënë se biznesët duhet t’i rikthehen funksionimit të tyre, por u kërkon biznesëve të respektohen masat në mënyrë strikte, ashtu që të mund të arrihet faza e dytë kur do të lehtësohen edhe më shumë masat.

“Në tri fazat e rikthimit, duhet të respektohen strikt masat mbrojtëse dhe distanca. Ne duhet të mësohemi të bashkëjetojmë me virusin, derisa të gjendet zgjidhja. Unë i lus të gjitha biznesët të jenë strikt, ashtu që të kalojmë në fazën e dytë”, ka thënë Rukiqi.

“pjesa më e mirë e ekonomisë do të hapet javën tjetër, për të vazhduar edhe me të tjerat më vonë”, ka shtuar ai.

(Kosova Sot Online)