Taksisti “që lidh” Mitrovicën e Jugut dhe të Veriut

  • 01 May 2020 - 17:12
 Taksisti “që lidh” Mitrovicën e Jugut dhe të Veriut

Nëse ndokush ka nevojë për një taksi që do ta çojë nga jugu i Mitrovicës në veri, apo nga veriu në jug, atëherë të gjitha rrugët çojnë te Veton Nimani.

Ai jeton në qytetin e ndarë, por për të nuk ka pengesa.

Në një intervistë për televizionin N1, për Nimanin, të gjithë janë të njëjtë: shqiptarë, serbë dhe të huajë. Ai thotë se shërbimet e tij i kërkojnë të gjithë.

Ai punon si taksist për më shumë se 20 vjet. Më së vështiri thotë se ishte në vitet 1998 – 1998, kur lufta zhvillohej në Kosovë.

“Atëherë nuk kishte siguri as për ju e as për ne”, thonë Nimani për N1.

Televizioni serb e sheh atë jo vetëm si taksist, por edhe si një person që çdo ditë me punën e tij thyen paragjykimet që ekzistojnë mes shqiptarëve që jetojnë në jug të Mitrovicës dhe serbëve që jetojnë në veri.

“Erdhi një mjeke nga Novi Sadi, e cila merrej edhe me tregti, kishte një butik. Kishte dëgjuar që në Prishtinë ka çka bëhet pazar. Më pyeti përmes telefonit 100 herë nëse do të ishte e sigurtë. Pas shopingut që bëri, frika humbi. Tash shkon vet në Prishtinë, më nuk i duhem”, thotë Nimani.

Vetoni lindi dhe u rrit në veri të Mitrovicës, por pas luftës, ai me familje jeton në jug të qytetit.

“Për mua nuk ka kufij, nuk ka ura të mbyllura, s’ka asgjë”, insiston ai.

Pandemia ka ndërruar mënyrën e jetesës dhe punës së tij. Tash nuk del në rrugë, por vetëm nëse ka ndonjë telefonatë.

(Kosova Sot Online)