34 raste aktive me COVID-19 në Viti, sot testohen 14 persona

  • 01 May 2020 - 18:12
 34 raste aktive me COVID-19 në Viti, sot testohen 14 persona

Një rast i ri me koronavirus është konfirmuar mbrëmë në Viti. E infektuara është rast kontakt e familjes që rezultoi pozitive para tri ditës.

Drejtoresha e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare, Vjollca Kadolli ka treguar për media se sot janë përcjellë për testim nga kjo komunë 14 mostra, dy prej të cilave janë ri-testime.

Ajo ka treguar se gjendja e të infektuarve është e mirë.

“Rasti i mbrëmshëm në Viti është rast kontakti. Është vajza e një familje që kanë dal pozitivë para tri ditësh. Sot do të testohen 14 mostra. Dy janë ritestime, për të parë nëse janë shëruar, derisa 12 mostra do të testohen për herë të parë. Deri tani në Viti janë konfirmuar 53 raste. Raste aktive janë 34, derisa të shëruar janë 19. Gjendja e të infektuarve është kryesisht e mirë”, ka thënë Kadolli për Express.

Ndryshe, mbrëmë janë konfirmuar shtatë raste të reja me COVID-19. Rastet pozitive janë raste kontakti nga Komuna e Prizrenit, Vitia dhe Mitrovica e Jugut.

IKSHP’ja ka njoftuar edhe për shërimin e 22 pacientëve.

“Sot më 30 prill 2020, janë shëruar edhe njëzet e dy (22) pacientë, bazuar në rekomandimet e OBSH-së ku dy mostra rezultojnë negative me së paku një ditë distancë kohore. Numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej dyqind e shtatëdhjetë e një (271) raste”, thuhet në njoftim.

Që nga shpërthimi i pandemisë, në Kosovë kanë vdekur 22 pacientë. Numri i përgjithshëm i të infektuarve ka arritur në 806, ndërsa 271 pacientë janë shëruar.

(Kosova Sot Online)