Ministri i Integrimeve e ngatërron pak masën e përkohshme të Gjykatës Kushtetuese

  • 02 May 2020 - 12:33
 Ministri i Integrimeve e ngatërron pak masën e përkohshme të Gjykatës Kushtetuese

Ministri i Integrimeve Europiane, Blerim Reka, e ka interpretuar masën e përkohshme të Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e Dekretit të Presidentit si vendim për të mos lejuar partinë e dytë të formojë Qeverinë e re.

Këtë pështjellim e ka bërë pasi është publikuar masa e përkohshme e cila pezullon dekretin e Presidentit deri në fund të muajit maj kur edhe pritet të publikohet kushtetutshmëria e atij dokumenti.

“Gjykata vetëm konfirmoi, se nuk mund t’i jepet mandati partisë së dytë, pa e refuzuar e para. E kushtetuesja, nuk gjeti provë, se e para këtë e kishte refuzuar! Fundja Gjykata Kushtetuese nuk e shkruan kushtetutën. Ajo vetëm vlerëson, nëse ajo shkelet”, ka shkruar Reka, në një reagim në Fb.

Blerim Reka është edhe profesor universitar dhe për një kohë ka mbajtur pozitë ambasadori.

Masa e përkohshme nuk është vendim përfundimtar por vetëm pezullon zbatimin e një vendimi derisa të vendoset përfundimisht për një çështje kushtetuese.

Sidoqoftë, Ministri i Qeverisë së shkarkuar ka shkruar edhe për dallimin e Kushtetutës dhe romanit.

“Norma kushtetuese nuk është roman, që nga kritikët letrarë analizohet me pytejen se: “çka ka dashtë të thotë autori”? Ajo vetëm zbaton ate që e ka shkruar “autori”. Jo, siç ne e kuptojmë, por siç e thotë norma kushtetuese. Ajo, nuk e interpreton kushtetutën siç e don, por vetëm siç e ka shkruar kushtetutëdhënësi. E në kushtetutë, nuk shkruan se për sa ditë, partia e parë duhet të dërgojë emrin e mandatarit. Këtë mund ta bëjë vetëm Kuvendi, me ndryshimin e kësaj Kushtetute, ku do të caktojë këtë afat”, ka shtuar ai.

(Kosova Sot Online)