Në Britani fillon testimi i plazmës së gjakut të të shëruarve kundër Covid-19

  • 02 May 2020 - 15:35
 Në Britani fillon testimi i plazmës së gjakut të të shëruarve kundër Covid-19

Në Britaninë e Madhe ka filluar testimi i efektit të plazmës së gjakut të personave të shëruar nga koronavirusi si metodë e mundshme e trajtimit të rasteve të rënda të të sëmurëve me Covid-19.

Plazma është një lëng i kthjellët, i cili e përbën rreth gjysmën e vëllimit të gjakut të njeriut, shërben për transportimin e rruazave të kuqe, rruazave të bardha dhe pllakëzave të gjakut nëpër trup.

Më shumë se 6,500 persona janë regjistruar në programin për dhurimin e plazmës. Ky program është duke u udhëhequr nga Departamenti i Transfuzionit të Gjakut të Sistemit Shëndetësor Anglez në emër të qeverisë, shkruan “The Guardian”.

Ky institucion është duke rekrutuar persona me ndihmën e të dhënave të organeve shëndetësore dhe po i fton kandidatët e përshtatshëm që ta dhurojnë plazmën. Kandidatë të përshatshëm janë personat që janë infektuar dhe janë shëruar nga koronavirusi.

“Plazma e pacientëve të shëruar mund të përmbajë antitrupa që janë prodhuar nga sistemi i tyre imunitar për ta luftuar koronavirusin”, thuhet në deklaratën e zyrtarëve për transfuzionin e gjakut. “Shpresojmë që plazmën ta marrim jo më herët se 28 ditë pas shërimit nga Covid-19 pasi në këtë fazë plazma mund të përmbajë nivel më të lartë të antitrupave neutralizues”, thuhet më tej në deklaratë.

Deri më tani, plazma e gjakut ka filluar të mblidhet nga 148 persona në Angli dhe hulumtuesit shpresojnë se antitrupat e gjendur në këtë lëng do të mund të bëhen zgjidhje kyçe në luftën kundër koronavirusit.

(Kosova Sot Online)