Haxhiu e Uka i reagojnë Kadrijajt pse publikoi emrat e atyre që u liruan nga Qendra e Studentëve

  • 02 May 2020 - 17:37
Haxhiu e Uka i reagojnë Kadrijajt pse publikoi emrat e atyre që u liruan nga Qendra e Studentëve

Deputetja e AAK’së, Time Kadriaj ka thënë se Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, i ka liruar nga karantina disa aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje, derisa ka publikuar edheemrat e tyre dhe diagnozën. Në vendimin e publikuar nga Kadrijaj, shkruan se personat që lirohen nga karantina janë raste psikiatrike.

Ndaj këtij postimi të Kadrijajt ka reaguar Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu. Ajo ka thënë se është e shokuar nga ky nivel.

“Kjo çfarë bëri sot znj. Kadriaj është kulmi. Për të  goditur politikisht ka dëmtuar rëndë dinjitetin dhe integritetin e personave duke publikuar emrat dhe diagnozat e tyre. Pra, zonja Kadriaj që vetë thotë se është mjeke sot na dëshmoi të kundërtën. Kjo është çnjerëzore, e pajustifikueshme, shumë ultë dhe në kundërshtim me legjislacionin dhe konventat evropiane”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.

Për publikimin e emrave dhe diagnozës nga Kadrijaj, ka reaguar edhe deputeti i Vetëvendosjes, Fitim Uka.

Ai ka thënë se ky veprim përbën shkelje të shumëfishtë të të drejtave të njeriut dhe në veçanti të të drejtave të pacientëve.

Uka ka kërkuar nga deputetja e AAK’së që ta fshijë sa më parë këtë postim dhe të kërkojë falje, derisa u ka bërë thirrje organeve të drejtësisë dhe Avokatit të Popullit që të trajtojnë urgjentisht këtë çështje.

 “Ftoj zonjën Time Kadriaj, që sa më parë të jetë e mundshme të largoj këtë postim të turpshëm dhe të kërkoj falje. Por, ftoj edhe organet e drejtësisë, në këtë rast avokatin e Popullit, që të trajtoj urgjentisht këtë çështje”, ka shkruar Uka. 

(Kosova Sot Online)