Analisti Krasniqi: Kushtetuesja uli tensionet politike, vendimi përfundimtar para 28 majit

  • 02 May 2020 - 19:40
Analisti Krasniqi: Kushtetuesja uli tensionet politike, vendimi përfundimtar para 28 majit

Gjykata Kushtetuese mund të merr vendim përfundimtar para datës 28 maj, afat ky i masës së përkohshme që është vendosur dje për dekretin e Presidentit Hashim Thaçi për mandatarin Avdullah Hoti për kryeministër.

Analisti nga Demokracia Plus, Albert Krasniqi beson se vendimi përfundimtar do të jetë para afatit kohor kur është caktuar si masë e përkohshme.

Përderisa Krasniqi si njohës i çështjes kushtetuese shprehet se afati i masës së përkohshme deri më 28 maj, nuk do të duhej të merret si afat përfundimtar, sepse është një afat optimal dhe orientues brenda të cilit Gjykata mund të dalë me një vendim.

“Afati deri më 28 maj, i cili është caktua prej Gjykatës për ta mbajtur këtë masë të përkohshme të pezullimit nuk do të thotë që është afati i fundit kur Gjykata mund të dal me vendimin përfundimtar. Pasi mundet fare lehtë që të kemi një vendim para kësaj date, por po ashtu mund të kemi vendim edhe pas kësaj date. Ka raste kur Gjykata ka nxjerrë vendime për ta zgjatur këtë masën e përkohshme për shkak se nuk ka qenë i gatshëm aktgjykimi përfundimtar. Mirëpo duke ditur prioritetin e kësaj lëndë, unë shpresoj që vendimi përfundimtar do të jetë para 28 majit”, deklaron Krasniqi.

Vendimi i përkohshëm i Gjykatës Kushtetuese për dekretin e presidentit Hashim Thaçi, Krasniqi thotë se është një praktikë e zakonshme nga ana e kësaj gjykata, sipas të cilit një masë e tillë ishte edhe kur është zgjedhur kryetar i kuvendit në vitin 2014, Isa Mustafa.

Megjithatë, sipas Krasniqit, ky vendim djeshëm nga Gjykata i kontribuon edhe uljes së tensioneve politike.

“Kjo masë ka për qëllim që të parandaloj që të ketë efekte juridike ky vendim, për shkak se do të mund të ndodhte që ligjet të cilat do të aprovoheshin me sponsorizim të Qeverisë, me pagat të cilat do të merreshin prej këtyre zyrtarëve. Pastaj, hyrja në marrëdhënie kontraktuale për mes marrëveshjeve ndërkombëtare prej qeverisë. Pra, të gjitha këto do të kishin pasoja juridike dhe për këtë arsye Gjykata ka marrë një masë, e cila e pezullon edhe rrjedhën e afateve. Ndërsa, 15-diteshi që tani do të duhej të ishte afati deri kur Avdullah Hoti do t’i propozonte kuvendit kabinetin e qeverisë së re tanimë pezullohet dhe nuk rrjedhë. Po ashtu përmes këtij vendimi Qeveria në detyrë e Albin Kurtit mbetet deri në momentin kur kjo Gjykatë nuk del me një vendim të ri. Krejt kjo masë i kontribuon edhe uljes së tensioneve të cilat janë krijuar ndërmjet subjekteve politike dhe kështu len një hapësirë që këto subjekte ta pranojnë një aktgjykim përfundimtar që vjen prej Gjykatës Kushtetuese”, deklaron Krasniqi.

Analisti nga Demokracia Plus ka komentuar edhe vendimin tjetër të kësaj gjykate për Qeverinë e Kosovës, për shpalljen karantinë të komunave, në këtë rast atë të Prizrenit, Dragashit dhe Istogut përkitazi me ankesat që i ka bërë PDK-ja.

Krasniqi thotë se qeveria dhe komunat duhet t’i zbatojnë aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese, pasi që bëhet shkelje e dyshtë.

“Është shumë keq që Qeveria ka marrë vendime kundër kushtetuese dhe aq më keq kur këto vendime vetëm ka provuar t’i ri-paketojë për formën dhe përmbajtjen njëjtë të efekteve që kanë pasur këto vendime. Qeveria duhet ta kuptoj që vendimet që cilat merren prej Gjykatës Kushtetuese janë përfundimtare, ato nuk mund të ankimohen dhe është shkelje kushtetuese po ashtu mos respektimi I aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese, pra bëhet shkelje e dyshtë. Partitë politike të cilat janë të përfshira në rastet kontestimore në Gjykatën Kushtetuese duhet t’i lënë anash kërcënimet dhe presionet ndaj kësaj gjykate, por t’i respektojnë vendimet e saj ashtu siç janë marrë janë apo jo në favor të tyre. Ajo çfarë duhet të bëjnë komunat është t’i zbatojnë ato aktgjykime të cilat janë marrë prej Gjykatës Kushtetuese, pa humbur kohë, në afatet të cilat janë paraparë”, thotë ai.

Ndërsa, komunat të cilat ende janë në karantinë për perëndimin e përhapjes së koronavirusit janë Prishtina, Klina, Malisheva dhe Ferizaj.

(Kosova Sot Online)