Presidenti Thaçi reagon për vdekjen e qytetarit në konvikte – bën përgjegjëse institucionet

  • 03 May 2020 - 22:07
Presidenti Thaçi reagon për vdekjen e qytetarit në konvikte – bën përgjegjëse institucionet

Vdekja e 26 vjeçarit në konvikte, Thaçi kërkon zbardhjen e menjëhershme të rastit

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi nëpërmjet Facebookut ka reaguar lidhur me vdekjen e 26 vjeçarit në Qendrën e Studentëve, ku po mbahej në karantinë pas kthimit nga Gjermania.

Thaçi ka kërkuar përgjegjësi nga institucionet dhe zbardhje sa më të shpejtë të rastit.

Shkrimi i plotë i Thaçit në Facebook:

Jashtëzakonisht shumë tragjike humbja e jetës së të riut në Karantinën e Qendrës së Studentëve në Prishtinë. Humbja e jetës së këtij 26 vjeçari nga Gjilani na ka prekur tejmase të gjithëve, por kjo vdekje assesi nuk guxon të mbetet enigmatike.

I bëj thirrje organeve të hetuesisë që sa më shpejt që është e mundur t’i zbardhin të gjitha rrethanat e kësaj vdekjeje tronditëse për të gjithë qytetarët, në këtë kohë pandemie.

Si president i vendit kërkoj përgjegjësi nga institucionet përkatëse, të cilat e kanë përcjellë gjendjen e këtij të riut dhe kanë vendosur që ai t’i nënshtrohet karantinimit të detyrueshëm në Qendrën e Studentëve, duke mos qenë më pas në gjendje që t’ia ofrojnë kujdesin e nevojshëm dhe meritor. HTH

(Kosova Sot Online)