Britania shënon 453 të vdekur nga koronavirusi për 24 orë

  • 05 May 2020 - 16:16
 Britania shënon 453 të vdekur nga koronavirusi për 24 orë

Gjatë 24 orëve të kaluara, në Britani të Madhe janë shënuar 453 të vdekur nga koronavirusi.

Nga kjo shifër, 366 pacientë vdiqën në Angli, 44 në Skoci, 26 në Uells dhe 17 në Irlandën Veriore. Sidoqoftë, këto nuk janë shifrat përfundimtare, sepse pritet që qeveria të dalë më vonë me të dhënat zyrtare, ku do të përfshihen edhe vdekjet në shtëpitë e të moshuarve.

Shifra e re u publikua në kohën kur Zyra Kombëtare e Statistikave la të kuptohet se Mbretëria e Bashkuar e ka numrin më të madhn të viktimave të koronavirusit në Evropë, duke ia zënë vendin e parë Italisë, shkruan “Metro UK”, transmeton Gazeta Express.

Kjo zyrë konfirmoi se mbi 32 mijë persona kanë vdekur nga koronavirusi në Angli. Në Uells dhe Angli, deri më 24 prill kishin vdekur 29,648 persona. Kur përfshihen edhe rastet e Skocisë dhe Irlandës Veriore, shifra e përgjithshme e viktimave tashmë ka shkuar në 32,313 persona.

Qeveria britanike pritet që gjatë kësaj jave të japë hollësi për fillimin e lehtësimit të masave të izolimit, por pritet që ky proces të zhvillohet me ritëm të ngadalshëm shkaku i frikës nga një valë e dytë e shtimit të rasteve.

(Kosova Sot Online)