Këshilltari i ri i Kurtit kundër pavarësisë së Kosovës dhe mbështetës i kriminelit famëkeq Ratko Mlladiq

  • 05 May 2020 - 17:19
 Këshilltari i ri i Kurtit kundër pavarësisë së Kosovës dhe mbështetës i kriminelit famëkeq Ratko Mlladiq

Me veç një fjali, zyra e kryeministrit në detyrë të Kosovës, siç nuk ka ndodhur asnjëherë më parë në këto muaj të punës së kësaj qeverie, kanë njoftuar për emërimin e një këshilltari të Albin Kurtit, që do të udhëheq edhe Zyrën për Çështje të Komuniteteve.

Cvetko Veljkovic, një emër i panjohur më parë në politikë, e ka zëvendësuar sot si këshilltar të kryeministrit, Nenad Rashiqin. Kjo pasi që ky i fundit dha dorëheqje nga pozitat që mbante në qeveri, pas ngritjes së aktakuzës nga Prokuroria Speciale.

Zyra e kryeministrit nuk ka dhënë detaje lidhur me Veljkovic siç kanë bërë kur janë emëruar këshilltarët e tjerë. Në njoftimin e nisur për media shkruhet se ai është ekonomist me profesion e vjen nga Shtërpca.

Njoftimi i zyres se kryeministrit ne detyre

Megjithatë më shumë për qëndrimet e Veljkovic mund të vërehet nëse shikohet profili i tij në Facebook.

Këshilltari më i ri i kryeministrit në detyrë Albin Kurtit, përmes këtij rrjeti social ka bërë jo pak herë thirrje nacionaliste kundër kosovarëve.

Sipas tij, Kosova është pjesë e Serbisë, bombardimet e NATO’s janë gabim e gjithashtu edhe njohjet e reja.

Veljkovic ka treguar simpatinë e tij për njërin nga gjeneralët më famë keq të Serbisë, Ratko Mladic që është dënuar me burgim të përjetshëm për kryerje të krimeve kundër civilëve në Bosnjë.

Ai ka shpërndarë një këngë ku Mladic cilësohet si hero që po gjykohet gabimisht, e ku Kosova është pjesë e territorit të Serbisë.

Madje, se Kosova është Serbi, këshilltari i Kurtit e ka përsëritur edhe në ditën e pavarësisë së shtetit tonë.

Ai ka shpërndarë postimin e një faqes në Facebook që mban emrin “Kosova dhe Metohija”, në të cilin shkruhet se edhe pse është 17 shkurt, Kosova mbetet pjesë e Serbisë.

Veljkovic ka vënë në mëdyshje edhe cështjen e bombardimeve të NATO’s ndaj Serbisë e njohjet ndaj Kosovës, kur ka shpërndarë në Facebook një deklaratë të një politikani gjerman që flet për këtë cështje.

“Politikan gjerman: Ne nuk duhet të kishim bombarduar Serbinë dhe ta njihnim Kosovën”, thuhet në postimin që ka shpërndarë ekonomisti nga Shtëprca që sot u emëruar këshilltar në qeveri

Gazeta Express ka dërguar pyetje në zyrën e Kurtit për t’i pyetur nëse janë në dijeni për këto qëndrime të Veljkovic e nëse do të shqyrtohet pozita e tij në qeveri. Deri në momentin e publikimit të këtij lajmi, nuk është kthyer përgjigje.

Veljkovic që ka zënë në qeveri vendin e Nenad Rashiq, për të cilin Kurti kishte paralajmëruar bashkëpunim qysh moti, duket se është bashkëpunëtor i ngushtë i këtij të fundit.

Në zgjedhjet e fundit, ai ka garuar për deputet me koalicionin Slloboda, që për kandidat e patën vetë Rashiq. Në këto zgjedhje ai ka marrë 129 vota.

Në garë për ulësen e deputetit të Kosovës, Veljkovic kishte qenë edhe në vitin 2017-të, mirëpo, kishte arritur që t’i marrë vetëm 197 vota.

(Kosova Sot Online)