Studiuesit: Italia mund të përballet me një valë tjetër më vdekjeprurëse koronavirusi

  • 05 May 2020 - 22:33
 Studiuesit: Italia mund të përballet me një valë tjetër më vdekjeprurëse koronavirusi

Italia mund të goditet nga një valë e dytë dhe më vdekjeprurëse e koronavirusit tashmë që masat kufizuese janë lehtësuar. Të paktën kështu thuhet në një raport të përgatitur nga Kolegji Imperial në Londër.

Studiuesit e këtij kolegji krijuan modele që parashikojnë se si do të përhapet virusi në tre skenarë,  nëse vendi do të qëndronte në karantinë ose nëse italianët do të rritnin lëvizjet e tyre me 20 deri në 40 për qind.

Kështu, rezulton se edhe nëse italianët ktheheshin në vetëm 20 për qind të rutinës së tyre normale, kjo do të shkaktonte një rritje më të madhe të vdekjeve krahasuar me ato të valës së parë e cila deri më tani u ka marrë jetën pothuajse 30,000 personave. Nëse lëvizshmëria kthehej në nivelet e para-izolimit në 40 për qind, mund të kishte 23,000 vdekje më shumë, thuhet të raport.

Studiuesit e pranojnë se parashikimet e tyre janë pesimiste pasi ato nuk ndikojnë në masat parandaluese. Por, ata thonë se gjetjet e tyre nxjerrin në pah nevojën për aplikacione për gjurmimin e kontakteve, distancimin shoqëror dhe mbajtjen e detyrueshme të maskave kur vendi heq kufizimet.

Ky raport vjen në një kohë që Italia hyn në “fazën e dytë” të planit për menaxhimin e krizës së krijuar nga koronavirusi pas gati dy muajsh. Miliona italianëve u është lejuar tashmë që të kthehen në punë ndërsa parqet publike janë hapur për aktivitete fizike dhe familjet janë ribashkuar.

(Kosova Sot Online)