COVID-19 në Prizren, rastet e mbrëmshme janë kontakte, sot ka testime dhe ritestime

  • 07 May 2020 - 15:53
 COVID-19 në Prizren, rastet e mbrëmshme janë kontakte, sot ka testime dhe ritestime

82 persona nga Prizreni janë konfirmuar deri më tani me virusin COVID-19. Nga ta janë shëruar 22, ndërkaq kanë vdekur 2 persona të ciliët kanë qenë të infektuar me koronavirus. 2 rastet e fundit me virus nga kjo komunë u konfirmuan mbrëmjen e së mërkurës, ku u testuan 20 persona. Drejtori i Shëndetësisë në Prizren, Visar Shehu, tha se edhe gjatë ditës së sotme do të ketë testime dhe ritestime

Një familjar i një pacienti të hemodializës dhe një i njërit prej infermierëve të këtij reparti janë personat të cilët rëezultuan pozitivë mbrëmë nga Prizreni.

Drejtori i Shëndetësisë në këtë komunë, Visar Shehu, tha për Express se gjatë ditës së sotme do të testohen edhe persona të tjerë.

Ai po ashtu tha se sot do të ketë edhe ritestime të personave që tashmë janë konfirmuar me koronavirus, për të parë nëse janë shëruar.

“Dsje janë bërë rreth 20 teste, nga to 2 kanë rezultuar pozitivë. Janë raste kontakti, një familjar i një pacienti të hemodializës dhe një tjetër familjar i një infermieri të këtij reparti. Gjatë ditës së sotme do të bëhen testime dhe ritestime”, tha Shehu.

Nga 82 persona të konfirmuar me virusin COVID-19 në Prizren, janë shëruar 22, ndërkaq kanë vdekur 2, e 58 janë ende duke u përballur me koronavirusin.

Ndërkohë, numri total i personave të prekur me COVID-19 në Kosovë ka shkuar në 860.

Nga ta janë shëruar 553, ndërkaq kanë vdekur 27 persona.

Rasti i fundit i vdekjes nga koronavirusi u shënua mëngjesin e sotëm ku në Klinikën Infektive të QKUK-së vdiq një 63-vjeçare nga Dragashi.

(Kosova Sot Online)