Teksti i marrëveshjes LDK-AAK po shihet si presion ndaj deputetëve

  • 07 May 2020 - 19:31
 Teksti i marrëveshjes LDK-AAK po shihet si presion ndaj deputetëve

Përveç që ndanë hisenë në qeverinë që synojnë ta krijojnë, LDK-ja e AAK-ja me marrëveshjen e koalicionit janë pajtuar që deputetët e tyre të përkrahin çdo nismë të ekzekutivit.

Pika 9 e marrëveshjes LDK-AAK thekson se deputetët e të dyja partive do të mbështesin me votë në Kuvend zbatimin e politikave dhe miratimin e legjislacionit të nevojshëm.

Kushtetuta e Kosovës përcakton se deputeti është përfaqësues i popullit dhe nuk i nënshtrohet asnjë mandati detyrues, raporton KTV.

Kjo marrëveshje po konsiderohet si tentim për të diktuar dhe për t’u bërë presion deputetëve që të votojnë njëjtë sikurse partia.

Albena Reshitaj nga AAK-ja thotë se ka pajtueshmëri brenda grupit parlamentar që të përkrahet çdo nismë e qeverisë, por që deputetët janë të lirë në fund të vendosin.

Deputetja e LDK-së në disa legjislatura, Besa Gaxherri, thotë se marrëveshja e koalicionit nuk bie në kundërshtim me asnjë normë ligjore.

E njëjta gjë është paraparë edhe në marrëveshjen e LDK-së me Nismën Socialdemokrate.

Në legjislaturat e kaluara të Kuvendit ka pasur raste kur deputetët nuk janë pajtuar me qëndrimet e partisë së tyre.

Më e zëshmja kundër qëndrimeve të partisë ishte deputetja Vjosa Osmani, e cila nuk e kishte votuar Isa Mustafën për kryeministër, ndonëse kishte marrëveshje të koalicionit me PDK-në e Hashim Thaçit.

(Kosova Sot Online)