Familja e 63-vjeçares që vdiq nga koronavirusi fajëson Spitalin e Prizrenit

  • 07 May 2020 - 20:51
 Familja e 63-vjeçares që vdiq nga koronavirusi fajëson Spitalin e Prizrenit

Tre raste me COVID-19 janë regjistruar në Dragash. Nga komuna kërkojnë më shumë testime.

Të pajisur me rroba mbrojtëse, po varrosin 63 vjeçaren e cila vdiq mëngjesin e së enjtes si pasojë e COVID-19.

Prezent në këtë ceremoni në Plavë të Dragashit ishin vetëm anëtarët e ngushtë të familjes.

Në mesin e tyre edhe bashkëshorti i të ndjerës i cili një ditë më parë u njoftua që kishte mposhtur luftën me koronavirusin, pas gati dy javësh në Klinikën Infektive.

Por familjarët e 63 vjeçares po thonë se e njëjta mori virusin korona pikërisht në institucionin ku do të duhej t’i ofrohej siguri maksimale.

Sipas familjes menaxhmenti i Spitalit Rajonal në Prizren duhet të marrë përgjegjësi.

Veç dy anëtarëve të kësaj familjeje, në Komunën e Dragashit është i regjistruar edhe një rast tjetër.

Por sipas kryetarit të komunës, Shaban Shabanit, në Dragash duhet të bëhen më shumë teste për COVID-19.

Megjithatë kësaj kërkese nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike iu përgjigjën negativisht.

Sipas Shabanit të gjitha rastet e kësaj komune janë raste kontakti.            

63 vjeçarja nga Dragashi e cila kishte edhe sëmundje përcjellëse, është viktima e 27 nga COVID-19 në Kosovë.

(Kosova Sot Online)