Pandemia po dëmton seriozisht edhe turizmin kosovar

  • 07 May 2020 - 21:02
 Pandemia po dëmton seriozisht edhe turizmin kosovar

Bizneset që operojnë në Bjeshkët e Rugovës thonë se kanë vështirësi ekonomike për shkak të pandemisë.

Është një prej rajoneve me bukuritë më të mëdha natyrore në Kosovë.

Bjeshkët e Rugovës janë destinacion i parë në mendjen e shumë turistëve të cilët zgjedhin të vizitojnë këtë zonë.

Por, muajt e fundit për shkak të gjendjes me virusin korona, gjërat kanë ndryshuar.

Asnjë turist nuk është lejuar të hyjë në këtë pjesë.

Përgjatë rrugës nëpër këto bjeshkë, pothuajse të gjitha lokalet afariste, restarurantet e hotelet gjatë së enjtes po qëndronin të mbyllura.

Tash e disa javë të njëjtat nuk ofrojnë shërbimet e tyre, as nuk e ushtrojnë veprimtarinë.

Ylber Rudi, ka më shumë se 20 vite që është i angazhuar në fushën e rekreacionit në këtë zonë.

Ai thotë se me vështirësi po e përballojnë situatën për shkak të pandemisë dhe mungesës së vizitorëve.

Rudi kërkon nga insitucionet e Kosovës që të jenë më të qarta në informacione kur flitet për mbështetjen që shtetit do t’ua jap bizneseve, përfshirë edhe atë që ai drejton.

Dëme të theksuara në veprimtarinë e tyre turistike, thotë se i ka shkaktuar pandemia, thotë edhe Ardit Bardhi, menaxher i njërit prej resorteve që operon në Bogë.

Bardhi pohon se kanë shfrytëzuar këtë kohë për të kryer renovime, po që problem mbetet sigurimi i të hyrave.

Edhe në Komunën e Pejës, deklarojnë se janë të njoftuar me dëmin e madh që I është shkaktuar sektorit të turizmit në këtë komunë.

Engelbert Zefaj, që është zëdhënësi komunës, thotë se do të jenë të zëshëm që atyre t’iu ndihmohet.

Ndërkohë, gjatë ditës edhe Shoqata e Turizmit Alternativ të Kosovës ka kërkuar plan konkret për rimëkëmbjen e bizneseve të kësaj fushe, duke specifikuar edhe uljen e tatimit në vlerë të shtuar, nga 18% në 8%.

(Kosova Sot Online)