PDK: Qeveria dështoi me riatdhesimin e qytetarëve, Vetëvendosje e braktisi diasporën

  • 08 May 2020 - 16:37
 PDK: Qeveria dështoi me riatdhesimin e qytetarëve, Vetëvendosje e braktisi diasporën

Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, në konferencën për media, ka ngritur shqetësimin e mijëra qytetarëve të Kosovës, të cilët kanë mbetur jashtë vendit gjatë kohës së pandemisë, e që tani duan të kthehen në atdhe. 

Ajo tha se Qeveria e shkarkuar po ikë nga përgjegjësitë konkrete duke mashtruar qytetarët e diasporës.

Deputetja Musliu ka theksuar se pas shtatë javësh pandemi, pa u kthyer kanë mbetur afër 75% e qytetarëve që kanë kërkuar të riatdhesohen. 

Ajo tha se shumicës së tyre po iu shteron durimi, kanë mbetur pa punë, apo një pjesë ka shkuar për probleme shëndetësore e kanë nevojë të kthehen, ndërsa studentëve iu është ndërprerë shkollimi, ceku deputetja Musliu.
Deklarata e plotë e deputetes Ganimete Musliu:


Të nderuar përfaqësues të mediave,
Te nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës,
Fillimisht në emrin tim dhe të Partisë Demokratike të Kosovës, ju uroj nga zemra të jeni mirë me shëndet dhe shpresoj që personat të cilët janë të prekur nga koronavirusi të kenë shërim të shpejtë,
Familjeve që kanë humbur, të dashurit e tyre iu shpreh ngushëllimet më të përzemërta.
Po mbushen dy muaj që vendi ynë sikurse e gjithë bota po përballet me një pandemi të rrezikshme.
Këtë konferencë shtypi po e organizojmë për të ngritur zërin lidhur me mijëra qytetarë tanë që ende kanë mbetur të bllokuar jashtë vendit.
Bëhet fjalë për shtetasit tanë të cilët për arsye nga me të ndryshmet kanë udhëtuar jashtë vendit, kanë shprehur nevojën për t’u kthyer në vendlindje, por ende nuk iu është mundësuar kjo gjë.
Prononcimet e kabinetit qeveritar të shkarkuar, se gjoja qenkan duke e menaxhuar për mrekulli çështjen e riatdhesimit është mashtrim i pastër.
Rasti tragjik i të riut Agon Musliu që ndodhi si pasojë e neglizhencës dhe papërgjegjshmërisë së institucioneve shtetërore është dëshmia më e fortë e dështimit të këtij procesi.
Po ashtu, gjatë ditëve të fundit janë bërë publike shumë fakte që dëshmojnë se procesi i riatdhesimit dhe i karantinimit është bërë në mënyrë abuzive, selektive e të politizuar.
Partia Demokratike e Kosovës që në fillim të pandemisë, ka luajtur një rol konstruktiv duke propozuar zgjerimin e kapaciteteve të karantinimit për të mundësuar rikthimin e menjëhershëm të të gjithë qytetarëve kosovarë të bllokuar jashtë vendit.
Vendet fqinje kanë ndërtuar kapacitete të mëdha pritëse nëpër hotele private për karantinimin e të riatdhesuarve, të cilat janë shumë herë më të bollshme e cilësore se tonat.
Po ashtu, nëse kjo qeveri në ikje do të kishte siguruar më shumë teste për Covid 19, të riatdhesuarit nuk do kishte nevojë farë që të karantinoheshin por vetëm të testoheshin.
E drejta për t’u kthyer në vendlindje, është një e drejtë themelore e garantuar nga Kushtetuta e Kosovës dhe për rrjedhojë obligim i kësaj qeverie në ikje.
Ne jemi të gjithë të vetëdijshëm që kjo qeveri e shkarkuar nuk pyet për Kushtetutën se e ka shkelur tashmë disa herë.
Por këtu, bëhet fjalë për diçka shumë të ndjeshme, sikurse është lidhja e shqiptarit me atdheun.
Unë vetë kam qenë refugjate e luftës në Gjermani dhe e di mirë se çfarë do të thotë të jesh larg shtëpisë e familjes në pamundësi për t’u kthyer.
Unë e mbaj mend mirë me çfarë ankthi e brenge kam pritur ditët e lirisë dhe avionin e parë që më mundësonte kthimin në atdhe.
Prandaj, shtetasit tanë që kanë ngelur jashtë vendit, sikurse e gjithë diaspora jonë, nuk duhet parë vetëm si burim votash e të ardhurash, sikurse po bën Lëvizja Vetëvendosje, por duhet parë edhe si përgjegjësi e këtij shteti.
Arsyetimet që po jepen nga qeveria e shkarkuar Kurti për të justifikuar këtë braktisje, janë të pavërteta e absurde.
Ka kaluar mjaftueshëm kohë për të bërë përgatitje e duhura për riatdhesimin e tyre.
Në këtë moment që flasim, pas shtatë javësh pandemi, kanë mbetur jashtë vendit pa kthyer afër 75% e qytetarëve tanë që kanë kërkuar të riatdhesohen.
Shumicës së tyre po iu shteron durimi. Shumë prej tyre kane mbetur pa punë, një pjesë ka shkuar për probleme shëndetësore e kanë nevojë të kthehen, studentëve iu është ndërprerë shkollimi.
Na vijnë informacione se shumë prej bashkëqytetarëve tanë të mbetur jashtë, po ballafaqohen me probleme financiare, po iu skadojnë vizat e siguracionet.
Pavarësisht punës së përkushtuar që po bën shërbimi ynë diplomatik e konsullor, vetëm rikthimi i tyre i shpejtë është zgjidhje për ta.
Prandaj, Partia Demokratike e Kosovës i bën thirrje kësaj qeverie të papërgjegjshme, që të shpenzojë më pak kohë në rrjete sociale dhe nëpër studio televizive dhe të kthejë sa më parë në atdhe të gjithë qytetarët e Kosovës.

(Kosova Sot Online)