Infermierja amerikane akuzohet për vjedhje të kartelave bankare të viktimës së koronavirusit

  • 09 May 2020 - 09:35
Infermierja amerikane akuzohet për vjedhje të kartelave bankare të viktimës së koronavirusit

Policia amerikane tha se një infermiere që punonte në një spital të Nju Jorkut është duke u përballur me akuza për vjedhjen e kartelave bankare të një ish-pacienti të infektuar me koronavirus, i cili vdiq muajin e kaluar.

Infermierja Danielle Conti, 43-vjeçare, u akuzua për vjedhje të rëndë dhe posedim kriminal të pronës së vjedhur pasi dyshohet se ia vodhi dy kartela viktimës Anthony Catapano, përderisa ai ishte duke u trajtuar në spitalin universitar për koronavirus.

I infektuari 70-vjeçar ishte dërguar në spital më 4 prill pas shfaqjes së simptomave të koronavirusit, tha vajza e tij, Tara Catapano, për televizionin CNN. Ai ishte i kthjellët kur kishte ndodhur vjedhja e dyshimtë, por vdiq më 12 prill nga ndërlikimet e koronavirusit.

Vajza e viktimës, që thotë se ia paguante faturat babait prej kohës kur vdiq nëna e saj, më 2014, tha se zakonisht nuk i ka përcjellur në hollësi shpenzimet e prindit.

Megjithatë, pasi ai vdiq dhe ajo e pranoi një faturë të përdorimit të kartelës për pagimin e benzinës, gjë që babai i saj i ndjerë e bënte me të holla kesh, pa se kjo pagesë ishte bërë më 9 prill, në kohën kur prindi i vet po luftonte me vdekjen në spital.

Ajo tha se policia ia ka treguar disa pamje të siguruara nga kamerat e sigurisë në një dyqan, ku infermierja e dyshuar duket se është duke paguar gjëra ushqimore me kartelën bankare të burrit të ndjerë.

Përpos kartelave bankave, te gjërat personale të të vdekurit nga koronavirusi mungonin edhe syzet, telefoni, një sasi e të hollave në kuletë, mbushjet e telefonit dhe disa fotografi.

(Kosova Sot Online )