Po protestonin për ndarje të padrejtë të ushqimit, policia afgane vret 7 persona

  • 09 May 2020 - 13:48
 Po protestonin për ndarje të padrejtë të ushqimit, policia afgane vret 7 persona

Shtatë persona janë vrarë gjatë përleshjeve mes policisë afgane dhe protestuesve që po ankoheshin për shpërndarje të padrejtë të ndihmave ushqimore në provincën Ghor të Afganistanit.

Katërmbëdhjetë të tjerë u lënduan në këto përplasje, të cilat u nxitën nga pakënaqësia rreth shpërndarjes së ushqimit në bazë të lidhjeve politike, tha deputeti Gulzaman Nayeb, përfaqësues i kësaj province në nivelin qendror.

Policia qëlloi me armë pasi disa protestues filluan të sulmonin me gurë dhe armë dhe u përpoqën të hynin në shtëpinë e guvernatorit rajonal, bëri të ditur zëdhënësi i tij, Mohammad Arif Aber.

Në mesin e të vrarëve ishte edhe Ahmad Naveed Khan, një prezantues vullnetar në radio, i cili ishte ulur para dyqanit të tij kur u godit nga një plumb.

Qeveria afgane ka filluar të shpërndajë ushqim falas në mbarë vendin për shkak se pandemia ka ndikuar në humbjen e shumë vendeve të punës dhe rritjes së çmimit të bukës dhe produkteve të tjera ushqimore.

Deri më tani, në Afganistan janë shënuar mbi 4 mijë raste të infektimeve me Covid-19 dhe 115 viktima, shkruan “Reuters”,

(Kosova Sot Online)