Kjo është komuna që nuk ka pasur asnjë rast me COVID-19

  • 11 May 2020 - 16:27
 Kjo është komuna që nuk ka pasur asnjë rast me COVID-19

Komuna e Junikut deri më tani nuk ka pasur asnjë rast të konfirmuar me COVID-19. 3 persona ishin testuar ditë më parë, por kishin rezultuar negativë. Kryetari i Junikut, Agron Kuçi, në një lidhje direkte për media ka treguar se si po menaxhohet situata atje.

Asnjë person nga komuna e Junikut nuk është konfirmuar me koronavirus deri më tani.

Kryetari i kësaj komune, Agron Kuçi, tha për media se janë testuar disa persona, por kanë rezultuar negativë.

Ai po ashtu shtoi se disa banorë të Junikut që kanë ardhur nga jashtë kanë qëndruar të izoluar.

“Deri më tani nuk kemi pasur asnjë rast në Junik, kemi pasur 3 persona që janë testuar dhe kanë dalë negativë. Kanë qenë edhe 3-4 persona që kanë qëndru në vetizolim që kanë ardhur nga jashtë. Deri më tani s’kemi pasur asnjë rast, përkundër faktit se Juniku është në mes të komunës së Deçanit dhe Gjakovës, ku ka lëvizje të qytetarëve të këtyre tri komunave”, ka thënë Kuçi.

Ai shtoi se qytetarët kanë treguar kujdes të shtuar gjatë kohës së pandemisë, duke i respektuar të gjitha masat e vendosura nga Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombetar i Shëndetësisë Publike të Kosovës.

“Kemi pasur edhe fluks të qytetarëve të cilët kanë ardhur nga vendet e tjera tek familjet e tyre, është shtuar numri i banorëve në këtë kohë në Junik, por fatmirësisht nuk kemi raste të konfirmuara. Qytetarët kanë qenë të kujdesshëm dhe u janë përmbajtur rregullave të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës”, tha Kuçi.

Kuçi tha se edhe në Junik si në qytetet tjera të Kosovës nga data 4 maj kur edhe janë lehtësuar masat, ka filluar hapja e bizneseve.

“Kanë filluar të hapen bizneset pas lehtësimit të masave që i ka paraparë Qeveria e Kosovës. Ka filluar punën industria ndërtimore, presim pas datës 18 të fillojnë edhe bizneset tjera. Ndërkaq punët në sektorin e bujqësisë nuk janë ndalur”, theksoi Kuçi.

Ndiqeni intervistën e plotë të Kuçit për Express:

Ndryshe, dje në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 200 mostra të marra nga Klinika Infektive dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren.

Prej këtyre mostrave të testuara, 14 kanë dalë pozitive.

“Sot më 10 maj 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 200 mostra të marra nga Klinika Infektive dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren. Me SARS-CoV-2, janë konfirmuar 14 raste”, thuhet në njoftim.

Rastet pozitive janë raste kontakti nga Gjilani, Prizreni, Peja, Vushtrria dhe Prishtina.

Deri tani në gjithë vendin janë konfirmuar 884 raste me koronavirus. Prej këtij numri, 655 persona janë shëruar, derisa 28 kanë vdekur.

(Kosova Sot Online)