Mbi 4.2 milionë të infektuar me Covid-19 në botë

  • 11 maj 2020 - 20:25
 Mbi 4.2 milionë të infektuar me Covid-19 në botë

Mbi 4 milionë e 200 mijë njerëz raportohen se janë infektuar deri më tash me koronavirus, prej tyre 1 milion e gjysmë janë shëruar.

Në rreth 285 mijë ka shkuar numri i të vdekurve nga COVID19. Pas një kohe të gjatë të vdekjeve e infektimeve të shumta në vendin më të prekur në botë, kanë nisur të vërehen përmirësime.

Shtetet e Bashkuara kanë raportuar 750 të vdekur në 24 orët e kaluara. Kjo është përgjysmë më pak se viktimat e raportuara një ditë më parë.

Gjatë 24 orëve të fundit u raportuan edhe rreth 20 mijë të infektuar të rinj, apo 5 mijë më pak se ditën e kaluar.

Deri më tani në SHBA raportohen 80.800 të vdekur, përderisa numri i të infektuarve ka shkuar në mbi 1 milionë e 370 mijë.

Mbi 32 mijë të vdekur ka arritur shifra edhe në Mbretërinë e Bashkuar, pas më shumë se 260 vdekjeve të raportuara brenda 24 orëve.

Edhe në vendin e dytë më të prekur në botë po shihen përmirësime në bazë ditore, si në numër të viktimave ashtu edhe të infektimeve.

Gati 4 mijë infektime të reja u raportuan në Mbretëri të Bashkuar, duke bërë që numri i përgjithshëm të arrijë në gati 220 mijë.

Italia raportoi 165 viktima brenda 24 orëve, një numër më i ulët se ditët e kaluara. Numri i të vdekurve atje ka mbërritur në 30 mijë e 560.

Edhe numri i të infektuarve ka rënë me rreth 800 në ditën e kaluar, duke tejkaluar 219 mijë.

Franca ka raportuar 70 viktima për ditën e kaluar, numri më i vogël ky për një kohë të gjatë.

Megjithatë atje raportohen 26.380 të vdekur nga virusi, teksa të infektuar janë mbi 177 mijë.

Në të gjithë Evropën, vendet po i lehtësojnë masat e izolimit, duke shpresuar se nuk do të çojnë në një valë të dytë të infeksioneve nga koronavirusi i ri.

Në Francë, shkollat fillore do të fillojnë punën me numër të ulët të nxënësve, ndërsa do të rihapen dyqanet e rrobave, libraritë, sallonet e flokëve dhe luleshitësit.

Restorantet, kinematë dhe baret do të qëndrojnë të mbyllura. Në Belgjikë, shumica e bizneseve do të hapen megjithëse do të kërkohet distancimi fizik nga qytetarët. Restorantet, baret dhe kafenetë do të mbesin të mbyllura.

Në Holandë, shkollat fillore do të rihapen pjesërisht. Në kuadër të bizneseve që do të fillojnë punën janë: fizioterapistët, autoshkollat dhe parukierët.

Autoritetet zvicerane i kanë ndërmarrë një varg masash për t’iu kthyer zhvillimit normal të jetës pas pandemisë, përfshirë rihapjen e shkollave dhe restoranteve. Nga e hëna, në Zvicër do të rihapen shkollat fillore dhe të mesme të ulëta, që do të thotë se mësimi do të vazhdojë për fëmijët deri në moshën 15-vjeçare. Përpos shkollave, do të rihapen edhe dyqanet, muzetë, bibliotekat dhe restorantet, me kusht që ato t’i respektojnë disa masa parandaluese, siç është distanca sociale.

(Kosova Sot Online)