Ministrja Haxhiu njofton për shkarkimin e drejtorit të Agjencisë që sekuestronte e konfiskonte pasurinë e paligjshme

  • 12 May 2020 - 16:08
Ministrja Haxhiu njofton për shkarkimin e drejtorit të Agjencisë që sekuestronte e konfiskonte pasurinë e paligjshme

Ministria e Drejtësisë në detyrë, Albulena Haxhiu, sapo ka njoftuar që tashmë një “Komision Disiplinor” i themeluar nga Qeveria në detyrë ka “ndërprerë marrëdhënien e punës” me drejtorin e Agjencisë së Pasurisë së Sekuestruar, Rrahim Ramën.

Haxhiu përmes statusit në Facebook ka njoftuar tre hapat në lidhje me këtë lëvizje, e cila nis prej 7 prillit kur u iniciua “procedura disiplinore” ndaj personit në fjalë – megjithëse nuk tregohet për arsyet e një veprimi të tillë.

Ajo njoftoi po ashtu se “Komisioni Disiplinor” i themeluar nga Qeveria ka bërë gjetjet e caktuara – për të cilat nuk njoftohet opinioni – dhe se mbi bazën e tyre është shqiptuar masa disiplinore “Ndërprerje e marrëdhënie e punës” për shkak të “keqmenaxhimit, joprofesionalizmit, mungesës së transparencës, si dhe mosgatishmërisë për bashkëpunim në kryerje të detyrave të tij ligjore”.

Haxhiu thotë po ashtu se ky i fundit ishte zgjedhur në mënyrë të kundërligjshme.

Në Facebook-un e Rrahim Ramës, ai së fundi ka shpërndarë “Marshin e UÇK-së” më 25 prill, një ditë pas deklaratave të Shkëlzen Gashit për UÇK-në në T7 dhe po ashtu ka shpërndarë një postim ku bëhet thirrje “Drejtësi për Agonin”, të ndjerin që u vetëvra në Qendrën e Studentëve në Prishtinë ku ndodhej i karantinuar pa vullnetin e tij.

Më poshtë statusi i ministres Haxhiu:

(Kosova Sot Online)