I shkelën rregullat e karantinës, shteti ua rrënon hotelet

  • 12 May 2020 - 16:26
 I shkelën rregullat e karantinës, shteti ua rrënon hotelet

Autoritetet në rajonin Rivers të Nigerisë i kanë rrënuar dy hotele pasi raportohet se ato i shkelën rregullat e karantinës.

Guvernatori i këtij rajoni, Nyesom Wike, i cili e mbikëqyri procesin e rrënimit të hoteleve “Edemete Hotel” dhe “Prodest Home”, tha se operatorët e kanë shkelur vendimin për mbyllje të hoteleve gjatë pandemisë.

Ai tha se njerëzit që kishin dalë pozitivë për koronavirus janë gjetur duke qëndruar në hotele. Megjithatë, ai nuk tregoi nëse ndonjë person i infektuar është gjetur në ndonjërin prej hoteleve të rrënuara.

Menaxherët e të dyja hoteleve janë arrestuar, por pronari i hotelit “Prodest Home” mohoi se hoteli i tij ka qenë i hapur, shkruan “BBC”.

“Hoteli nuk ka qenë duke operuar dhe 70 për qind e stafit është dërguar në shtëpi. Vetëm tre persona kanë qenë të pranishëm në objekt”, tha ai.

“Zyrtarët erdhën dhe kërkuan ryshfet, thanë se do të na lejojnë të punojmë, nëse u japim të holla, por ne thamë se nuk jemi duke punuar, prandaj nuk kemi të holla për të dhënë”, tha ai. Autoritetet lokale i kanë mohuar këto akuza.

(Kosova Sot Online)