Nuk dihet saktë numri i zyrtarëve të shtetit që janë testuar për COVID-19

  • 12 May 2020 - 17:30
 Nuk dihet saktë numri i zyrtarëve të shtetit që janë testuar për COVID-19

Mbi 10 mijë qytetarë nga i gjithë vendi i janë nënshtruar testit për COVID-19, që nga konfirmimi i rasteve të para më 13 mars e deri më sot. Në mesin e atyre që janë testuar ka edhe persona që bartin përgjegjësi publike. Media ka pyetur MSh’në për numrin e zyrtarëve që janë testuar, por në këtë institucion nuk kanë dhënë detaje.

Një zyrtar i Ministrisë së Integrimeve Evropiane dhe një i Ministrisë së Drejtësisë, janë testuar dje nën dyshimin se janë të infektuar me koronavirusin e ri. I pari ka dal negativ, derisa i dyti pozitiv.

Të gjithë zyrtarët e Ministrisë së Drejtësisë që kanë pasur kontakt me të infektuarin, janë vetizoluar dhe po presin që të testohen nga Instituti Kombëtar i Shëndetit.

E testeve për COVID-19 tashmë u janë nënshtruar disa zyrtarë publikë. Por, se sa është numri i saktë i zyrtarëve që janë testuar, ende nuk dihet.

Në Ministrinë e Shëndetësisë kanë deklaruar se deri tani nga i gjithë vendi janë testuar mbi 10 mijë persona.

Udhëheqës i Divizionit për Komunikim me Publikun në MSH, Faik Hoti ka thënë se në mesin e të testuarve ka edhe persona që bartin përgjegjësi publike.

“Deri tash në Kosovë janë testuar 10130 qytetarë të dyshuar ne SARS-COV-2. Në mesin e të testuarve ka edhe persona që bartin përgjegjësi publike”, ka deklaruar ai.

Por, Hoti nuk ka treguar për numrin e zyrtarëve që janë testuar.

“Kriteret epidemiologjike të testimit nuk e njohin termin “zyrtar” apo “jo-zyrtar” me rastin e marrjes së mostrave për testim, por çdo të testuar e konsiderojnë si të dyshimtë, përderisa rezultati i testit nuk e konfirmon të kundërtën”, thuhet në përgjigjet e Hotit drejtuar  Express.

Ndryshe, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka bërë me dije se mbrëmë janë testuar gjithsej 196 mostra të marra nga Klinika Infektive dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren.

Prej këtyre mostrave, pozitive kanë rezultuar 11 raste. Rastet pozitive janë raste kontakti nga Vushtrria, Prizreni, Prishtina dhe Ferizaj.

Nga konfirmimi i dy rasteve të para më 13 mars e deri sot, në gjithë vendin janë konfirmuar 895 raste me COVID-19. Deri tani janë shëruar 657 persona, derisa betejën me koronavirusin e ri e kanë humbur 29 persona.

(Kosova Sot Online)