Luftë kundër korrupsionit apo për vota? Pretendimi i çuditshëm i aktivistit të VV’së pas shkarkimit të fundit

  • 12 May 2020 - 18:40
 Luftë kundër korrupsionit apo për vota? Pretendimi i çuditshëm i aktivistit të VV’së pas shkarkimit të fundit

Sot gjatë ditës, Albulena Haxhiu ka lajmëruar se është larguar nga puna drejtori i përgjithshëm i Agjencisë për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar ose të Konfiskuar. Menjëherë, në faqen e Facebook-ut #meKryeministrin këtij veprimi i është bërë një reklamë e çuditshme.

Haxhiu njoftoi se drejtorit në fjalë me emrin Rrahim Rama i ishte ndërprerë marrëdhënia e punës për shkak të “keqmenaxhimit, joprofesionalizmit, mungesës së transparencës, si dhe mosgatishmërisë për bashkëpunim në kryerje të detyrave ligjore.”

Ajo deklaroi se “sot ishte njoftuar me vendimin e Komisionit Disiplinor për Pozitat e Nivelit të Lartë Drejtues” në bazë të gjetjeve të bëra. Megjithëse publiku nuk u njoftua se për çfarë gjetjesh bëhej fjalë.

Menjëherë aktivistët dhe simpatizantët e Vetëvendosjes kanë shpërndarë këtë vendim.

Aktivisti i njohur Atdhe Arifi ka thënë pasi shpërndau postimin e ministres në detyrë se “I kemi prekur ku ju djeg më së shumti, tek paret e vjedhura, prandaj janë bërë gjithë bashkë, e pikërisht për këtë do t’i mundim.”

Arifi nuk ka ofruar asnjë shpjegim se për çfarë arsye kundërshtarëve politikë të Qeverisë Kurti “iu djegë” për pasurinë e sekuestruar apo konfiskuar duke qenë se – të paktën deri tash – nuk ka pasur asnjë rast të ndonjë zyrtari të lartë nga ndonjë parti së cilit i është konfiskuar apo sekuestruar pasuria bazuar mbi gjetjet eventuale se ajo ishte fituar nga vepra të ndryshme penale, apo terrorizmi.

Statusi në fjalë ka marrë mbi 1 mijë pëlqime e reagime pozitive, por askush nuk ka kontestuar këtë pretendim.

Gjatë qeverisjes 100 ditore, Qeveria Kurti nuk ka bërë ndonjë hap domethënës në luftën e saj kundër korrupsionit apo krimit të organizuar.

Në vend se ta bënte një gjë të tillë, kjo qeveri vazhdimisht ka shfrytëzuar vendimet e saj për qëllime elektorale.

Sipas vetë Ministrisë së Drejtësisë, këto janë funksionet e kësaj agjencie: Funksionet e Agjencisë

Në kuadër të drejtave dhe detyrave të parapara me ligj, Agjencia kryen këto funksione:

• Administron me pasurinë e sekuestruar dhe të konfiskuar të përdorura për, apo të përfituara nga vepra penale, përfshirë pasurinë e terrorizmit, me përjashtim të pasurisë së konfiskuar për realizimin dhe mbledhjen e detyrimeve tatimore;

• ekzekuton urdhrin e gjykatës për masën e përkohshme për sigurimin e pasurisë, sipas legjislacionit në fuqi;

• ekzekuton aktgjykimin e formës së prerë të gjykatës, sipas legjislacionit në fuqi, mund të bëjë shitjen e sendeve duke derdhur të ardhurat e grumbulluara nga shitja në buxhetin e Kosovës ose dorëzimin e pasurive për shfrytëzim nga Qeveria;

• bën vlerësimin e vlerës së pasurisë së sekuestruar dhe të konfiskuar, si dhe përcakton mënyrën e ruajtjes së kësaj pasurie;

• mbanë evidencat për pasurinë të cilën e administron dhe për vendimet gjyqësore në të cilat është vendosur për pasurinë e sekuestruar dhe të konfiskuar;

• përcakton mënyrën e ruajtjes së vlerës së pasurisë nën administrim;

• merr pjesë në ofrimin e ndihmës juridike ndërkombëtare për të gjitha rastet që përfshijnë pasurinë e sekuestruar dhe konfiskuar, duke administruar pasurinë e sekuestruar apo konfiskuar në bazë të kërkesës së bërë nga një shtet tjetër;

• mundëson shitjen e pasurisë së sekuestruar dhe të konfiskuar, sipas vendimit të gjykatës kompetente;

• administron të dhënat lidhur me pasurinë e sekuestruar dhe të konfiskuar në një sistem të centralizuar kompjuterik;

• ofron këshilla për Prokurorinë, Gjykatën dhe institucionet tjera mbi natyrën specifike të procesit të administrimit të pasurisë së sekuestruar dhe konfiskuar, me qëllim të ofrimit të ndihmës për planifikimin sekuestrimeve, apo konfiskimeve të mundshme;

• lidhë Memorandume të Bashkëpunimit me organet partnere dhe institucionet relevante për t’u dakorduar për marrëdhëniet dhe përgjegjësitë, si dhe për të rritur performancën , në përputhje me dispozitat e këtij ligji; Agjencia është e përkushtuar në zbatimin e objektivave dhe veprimeve që dalin nga Ligji.

(Kosova Sot Online)