Policia tregon detajet e aksidentit në rrugën Klinë - Gjakovë ku një person humbi jetën

  • 12 May 2020 - 19:20
 Policia tregon detajet e aksidentit në rrugën Klinë - Gjakovë ku një person humbi jetën

Një aksident me fatalitet ka ndodhur në rrugën Klinë-Gjakovë rreth mesditës. Një person ka humbur jetën ndërsa dy të tjerë janë lënduar në këtë aksident ku ishin të përfshira tre automjete.

Policia e Kosovës ka dalë me një komunikatë zyrtare rreth rastit.

Kjo është komunikata e plotë:

Rreth orës 14:40 në rrugën Klinë – Gjakovë, pikërisht në fshatin Gremnik të Klinës ka ndodhur aksident trafiku me fatalitet. Në ketë aksident ishin të përfshirë tri automjete, dy automjete (kombi) dhe një mjet bujqësor (traktor). Njëri automjet kombi ishte duke qarkulluar nga drejtimi i Gjakovës në drejtim të Klinës dhe më të arrit në fshatin Gremnik, iu është ndërprerë rruga nga mjeti bujqësor i cili ishte duke lëvizur në drejtim të kundërt, dhe në tentim që të futet në të majtë (në rrugë anësore) goditet nga ky automjet (kombi), kurse mjeti tjetër transportues (kombi) ishte në drejtim të njëjtë me mjetin bujqësor por ka pësuar vetëm dëme materiale nga inercioni dhe një pjesë e shkëputur e mjetit bujqësor.

Në ketë rast kanë pësuar lëndime katër persona. Nga lëndimet e rënda në vendin e ngjarjes ka ndërruar jetë vozitësi i mjetit bujqësor (traktorit), ketë e ka konstatuar mjeku kujdestar. Dy pasagjerët që ishin në mjetin bujqësor janë dërguar për tretman mjekësor në Spitalin Rajonal në Pejë, kurse vozitësi i automjetit (kombi) ka pësuar lëndime të lehta.

Trupi i pa jetë i viktimës më urdhër të Prokurorit të shtetit është dërguar ne Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë. Vozitësi i automjetit kombi më urdhër të Prokurorit të shtetit, i është caktuar masa e ndalimit policor për 48 orë.

Rastin është duke e hetuar sektori i hetimeve të aksidenteve pran Njësisë Rajonale të Komunikacionit rrugor në Pejë.

(Kosova Sot Online)