Paralajmërojnë protesta tjera, punonjësit e “Pastrimit” mund të mbesin pa paga

  • 13 May 2020 - 15:46
Paralajmërojnë protesta tjera, punonjësit e “Pastrimit” mund të mbesin pa paga

Punonjësit e Kompanisë Rajonale të Mbeturinave “Pastrimi”, kanë protestuar sot për pakënaqësitë e tyre rreth mospërfshirjes në Pakon Emergjente të Qeverisë së Kosovës. këta punonjës rrezikojnë të mbesin pa paga, e rrjedhimisht edhe shërbimet e tyre mund të ndalen

Zëdhënësja e KRM “Pastrimi”, Arbnora  Ademi, në një lidhje direkte ka dhënë detaje rreth protestës së sotme.

“Janë respektuar masat e rekomanduara nga IKSHPK-ja. Protesta ka përfunduar e qetë. Gjithsej kanë qenë afro 70 kamionë nga kompania “Pastrimi”, sepse kryejmë shërbime edhe në gjashtë komuna tjera. Nga të gjitha këto njësi jemi mobilizuar që të protestojmë të gjithë së bashku”, ka treguar Ademi.

Ajo theksoi se kërkesa e vetme e punonjësve të “Pastrimit” është që të përfshihen në Pakon Emergjente të Qeverisë së Kosovës.

“Kërkesa tash e disa ditë, që nga fillimi i pandemisë ka qenë përfshirja e këtyre punëtorëve në Pakon Emergjente të Republikës së Kosovës, sepse ne vlerësojmë se këta punëtorë janë anashkaluar pa të drejtë. Pasi ata gjatë 24 orëve kryejnë shërbimin e largimit të mbeturinave, madje duke rrezikuar edhe shëndetin e tyre. Ne kemi bërë vazhdimisht kërkesa të tilla, por ende nuk kemi marrë një përgjigje zyrtare nga Qeveria”, theksoi Ademi.

Ademi ka paralajmëruar se nëse punonjësit e kompanisë “Pastrimi” që merren me largimin e mbeturinave në gjashtë komuna të Kosovës, mund të mbesin pa paga.

E kjo do të çonte në një problem tjetër, atë të ndalimit të shërbimeve nga kjo kompani.

“Nëse kjo nuk ndodh, ne do të rrezikohemi financiarisht, do të mbesim pa paga. Nëse një gjë e tillë ndodh, nuk do të jetë e mundur të funksionojë shërbimi i largimit të mbeturinave e që mund të ndodh ndonjë epidemi tjetër e që ndoshta edhe do të harrohej COVID-19”, ka deklaruar Ademi.

Ademi po ashtu bëri të ditur se deri më tani asnjë nga punonjësit e kësaj kompanie nuk është konfirmuar me COVID-19.

(Kosova Sot Online)