Britania shënon 494 viktima të reja të koronavirusit

  • 13 May 2020 - 16:05
 Britania shënon 494 viktima të reja të koronavirusit

Britania e Madhe i ka regjistruar 494 viktima të reja të koronavirusit, duke e çuar numrin e përgjithshëm në 33,186.

Përpos të vdekurve, gjatë kësaj periudhe u shënuan edhe 3,242 raste të reja të infektimeve dhe shifra e përgjithshme e të prekurve shkoi në 229,705, shkruan “Daily Mail”.

Sidoqoftë, në shifrat e reja nuk janë të përfshira rastet që mund të kenë ndodhur në spitale, prandaj Ministria e Shëndetësisë do ta publikojë më vonë gjatë ditës numrin e përgjithshëm të viktimave.

Në bazë të analizës së të dhënave të Zyrës Kombëtare të Statistikave, ku përfshihen edhe vdekjet e dyshimta, numri i vërtetë i viktimave të koronavirusit në Mbretërinë e Bashkuar mund të jetë rreth 45,000.

Kryeministri britanik, Boris Johnson, më herët njoftoi se 144 punëtorë shëndetësorë dhe 131 punëtorë të kujdesit social janë në mesin e të vdekurve nga Covid-19.

Sipas të dhënave të Universitetit “Johns Hopkins”, Britania e Madhe është e dyta në botë për numrin më të lartë të viktimave, pas Shteteve të Bashkuara, dhe e katërta sa i përket shifrës së të infektuarve, pas Shteteve të Bashkuara, Rusisë dhe Spanjës.

(Kosova Sot Online)