Policia reagon pas tubimit të VV’së thotë se protestat mund të bëhen vetëm me distancë dhe me numra të letërnjoftimit

  • 13 May 2020 - 17:01
 Policia reagon pas tubimit të VV’së thotë se protestat mund të bëhen vetëm me distancë dhe me numra të letërnjoftimit

Policia e Kosovës ka reaguar pas tubimit të aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë. Në një komunikatë të PK’së për media thuhet se mbajtjet e tubimeve publike dhe protestat duhet të organizohen në pajtim me ligjin mbi tubimet publike

Policia thotë se tubimet publike dhe protestat duhet të organizohen në pajtim me ligjin mbi tubimet publike, përfshirë marrjen e lejeve nga autoritetet kompetente dhe njoftimin e Policisë së Kosovës.

“Legjislacioni në fuqi përcakton se çdo tubim publik duhet të lajmërohet nga organizatori apo përfaqësuesi i tij nën kushtet dhe afatin e paraparë ligjor gjë që nuk ka ndodhur me tubimet/manifestimet e fundit. Ligji për tubimet publike përcakton se lajmërimi i tubimeve publike duhet të bëhet më së voni shtatëdhjetë e dy (72) orë para se të mbahet tubimi i qetë publik”, thuhet në njoftimin e PK’së.

Policia po thotë se protestat mund të bëhen vetëm me distancë dhe me numra të letërnjoftimit

“Për shkak të gjendjes së krijuar në vendin tonë nga pandemia COVID-19, Ministria e Shëndetësisë në konsultim me Institutin Kombëtar për shëndet publik kanë vendosur disa masa mbrojtëse dhe kufizim të lëvizjes për banorët e Kosovës. Duke u bazuar në këto vendime organizatorët e tubimeve publike duhet që të sigurohen që pjesëmarrësit e tubimeve publike gjatë tërë kohës së tubimit të kenë masat mbrojtëse, mbajnë distancën nga njëri tjetri (2 metra) si dhe të kenë të drejtën e daljes sipas kohës së përcaktuar ( dy herë nga 90 min, i lejuar nga Ministria e Shëndetësisë në bazë të numrit të parafundit të letërnjoftimit)”, theksohet në komunikatën e PK’së.

“Policia e Kosovës përmes këtij njoftimi zyrtar, ka për qëllim të informojë opinionin publik, që përveç rolit në zbatimin e ligjit, në funksion ka për implementim planin e gatishmërisë dhe reagimit kundër Coronavirus-it të ri COVID-19, që parasheh masa shtesë në interes të ruajtjes së shëndetit publik dhe parandalimit të përhapjes së pandemisë”, thekson PK’ja.

(Kosova Sot Online)