Nga sot ndalohet importi i vezëve dhe shpezëve nga Maqedonia e Veriut në Kosovë

  • 13 May 2020 - 18:12
 Nga sot ndalohet importi i vezëve dhe shpezëve nga Maqedonia e Veriut në Kosovë

Shoqata e Prodhuesve të Vezëve në Kosovë pretendojnë se disa vezë me sëmundje kanë hyrë në Kosovë nga vendi ynë fqinj, Maqedonia e Veriut. Sipas tyre, këto vezë janë refuzuar nga tregu i vendeve perëndimore për shkak se nuk kanë plotësuar standardet e tregut. Nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës, ka thënë për media se është ndaluar importi i këtyre shpezëve dhe vezëve nga Maqedonia e Veriut

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës ka ndaluar importin e shpezëve që vijnë në Kosovë nga Maqedonia e Veriut.

Këtë e ka thënë për media zëdhënësi i AUV’it, Lamir Thaçi.

 “Sipas Ligjit të Veterinarisë 21/2004, AUV është e obliguar që të bëjë ndalesën e importit nga shtetet e infektuara me sëmundje të kafshëve ose shpezëve, sipas programit të parë të sëmundjeve infektive të dala nga ky ligj. AUV sot datë 13.05.2020, ka nxjerrë  vendim për masën e ndalesës së përkohshme, për shpezë dhe produkte-nën produkte të shpezëve për Republikën e Maqedonisë se Veriut”, ka deklaruar Thaçi për media.

Ai ka theksuar se për ngarkesën me vezë të importuar në Kosovë nga Maqedonia e Veriut janë zbatuar të gjitha procedurat e kontrollit sikurse vlejnë për të gjitha shtetet tjera.

Ai po ashtu ka thënë se importuesi ka marrë leje importi, ngarkesa ka poseduar gjithë dokumentacionin e nevojshëm sipas ligjeve në fuqi me të cilin garantohet siguria e vezëve.

“Ku përfshihet Certifikata veterinare shëndetësore e lëshuar nga autoriteti kompetent me të cilin garantohet se vezët janë të lira nga sëmundjet dhe parametrat tjerë laboratorik të përcaktuar në certifikatë. Ferma prej të cilës janë importuar vezët është në listën e Bashkimit Evropian me të drejtë eksporti në të gjitha shtet brenda bashkësisë. Deri me tani kjo fermë nuk ka ndonjë ndalesë dhe asnjë lajmërim për ndonjë masë shtesë të kontrollit. Për ngritje të masave të kontrollit merren parasysh njoftimet nga autoriteti kompetente ndërkombëtar  si RASFF sistemi, për të cilën fermë nuk ka pasur”, ka thënë Thaçi.

Thaçi po ashtu tha se inspektori me rastin e kontrollit të ngarkesës ka zbatuar të gjitha procedurat standarde për kontroll të rregullt.

“Fillimisht kontroll në përputhshmërinë dokumentacionit me deklinacionin e produktit nga kontrolli fizik dhe është marrë mostra për analiza ne disa parametra ku përfshihet edhe freskia e vazeve bazuar në rregullat në fuqi”, ka deklaruar ai.

Thaçi tha se testet laboratorike të mostrës kanë rezultuar se vezët i plotësojnë kushtet për konsum sipas rregullave në fuqi.

Ai bëri të ditur se  pas kontrollit të plotë inspektori ka lejuar qe vezët të dalin në treg për konsum, pasi sipas rezultateve i plotësojnë kushtet e sigurisë dhe ngarkesa është në pajtueshmëri me rregullat ligjore në fuqi.

“Pas lajmërimit të  publikuar në faqen zyrtare të autoritetit Maqedonisë se Veriut të Ushqimit dhe veterinarisë ka të bëjë me detektimin e sëmundjes Neë Castle Disase. (Murtaja tipike e shpezëve) tek dy ferma brojlerë (ferma të pulave për therje mish) dhe sipas raportit të publikuar nga Organizata Ndërkombëtare për Sëmundjet e Kafshëve – OIE, është raportuar se ne Republikën e Maqedonisë Veriore kemi pasur dy shpërthime ne dy lokacione te ndryshme të sëmundjes Mortaja Atipike e Pulave”, ka deklaruar Thaçi për Express.

Ndërkohë, Shoqata e Prodhuesve të Vezëve në Kosovë pretendojnë se disa vezë me sëmundje kanë hyrë në Kosovë nga vendi ynë fqinj, Maqedonia e Veriut.

Sipas tyre, këto vezë janë refuzuar nga tregu i vendeve perëndimore për shkak se nuk kanë plotësuar standardet e tregut.

E më vonë, këto vezë kanë hyrë në Kosovë dhe aktualisht po shiten nëpër dyqanet tona.

Rreziku i këtyre vezëve sipas Shoqatës së Prodhuesve të Vezëve është ky; Barten sëmundjet e shpezëve tek shpezët tona, shitet produkt i infektuar me sëmundje, dëmtohet konkurrenca për shkak se çmimi i tyre është shumë më i ulët krahasuar me prodhimet vendore.

(Kosova Sot Online0