Ministrit gjerman i kërkohet angazhim për të siguruar unitet në BE kundër prekjes së kufijve

  • 14 May 2020 - 15:51
 Ministrit gjerman i kërkohet angazhim për të siguruar unitet në BE kundër prekjes së kufijve

Ministri i Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Heiko Mass, në një fjalim që ka mbajtur të mërkurën në Bundestag ka shprehur qëndrimin e Berlinit zyrtar kundër idesë së korrigjimit të kufijve dhe shkëmbimit të territoreve.

Siç ka thënë ministri gjerman, një ide e tillë e vonon zgjidhjen e problemit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe nuk çon askund përveç në një rrugë qorre.

Një qëndrim të tillë të Mass e ka mirëpritur, Kurt Bassuener, njohës i rrethanave politike në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe themeluesi Democratization Policy Council (DPC) me seli në Berlin.

Kurt Bassuener ka thënë se një qëndrim i tillë tepër direkt i ministrit gjerman ka qenë tejet i nevojshëm.

Madje ai thotë se shpresoj që krye diplomati gjerman të jetë në kontakt edhe me shtetet tjera anëtare të Bashkimit Evropian për të pasur një qëndrim unik kundër idesë së korrigjimit të kufijve në mes të Kosovës dhe Serbisë.

“Një mesazh tepër i drejtpërdrejtë dhe i qartë nga Heiko Mass. I mirëseardhur në të vërtetë. Shpresoj që ai është në kontakt me homologët në shtetet tjera anëtare të BE’së për të pasur një qëndrim unik”, ka thënë Bassuener, raporton Gazeta Express.

Madje në fund eksperti i DPC thotë se shtetet anëtare në këtë çështje janë vonuar.

“Kjo është e vonuar”, ka përfunduar Kurt Bassuener.

Së fundi për idenë e korrigjimit të kufijve ka folur Përfaqësuesi i Lartë i BE’së, Josep Borell, i cili s’ka dhënë një qëndrim kundër. I pyetur nëse kundërshton prekjen e kufijve në mes të Kosovës dhe Serbisë, Borell ka thënë se për një gjë të tillë u takon të vendosin vetë Prishtina dhe Beogradi dhe se BE’ja s’mund të caktojë se për çfarë duhet të merren vesh palët.

Por ndryshe nga shefi i tij ka folur Miroslav Lajçak. Ai ka thënë se zgjidhja finale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet t’i kontribuojë paqes  dhe sipas tij një gjë e tillë s’mund të arrihet duke ndryshuar kufijtë. Lajçak si emisar i BE’së për dialogun Kosovë-Serbi ka thënë se një ide e tillë nuk është fare në agjendë.

(Kosova Sot Online)