Pse Vjosa Osmani në komentet që i drejtoi Gjykatës u mor vetëm me Dekretin e Thaçit?

  • 14 May 2020 - 19:12
 Pse Vjosa Osmani në komentet që i drejtoi Gjykatës u mor vetëm me Dekretin e Thaçit?

Kryeparlamentarja Vjosa Osmani e cila është edhe nënkryetare e LDK’së dhe juriste me profesion, ka zgjedhur që ta kundërshtojë formimin e Qeverisë së re pas rrëzimit të Kurtit duke e sfiduar në Gjykatë Kushtetuese vetëm veprimin e Presidentit, i cili procedoi me dekret, duke e nominuar Avdullah Hotin si mandatar për krijimin e Qeverisë. Osmani ka bërë këtë pa u marrë me faktin në formë eksplicite se a kanë të drejtë LDK AAK NISMA AKR ose subjekti i dytë në zgjedhje ta bëjnë qeveri pas mocionit të mosbesimit, por vetëm duke lënë të nënkuptohet se është kundër. 

Vjosa Osmani, kryetarja e Kuvendit të Kosovës që është edhe nënkryetare e LDK-së, përmes komenteve të saj në Gjykatën Kushtetuese thelloi ndarjen me partinë së cilës i takon. Ajo kontestoi të drejtën e LDK-së për ta formuar qeverinë e re me AAK-në, Nismën dhe AKR-në – duke mos e përmendur fare një gjë të tillë dhe duke sulmuar vetëm dekretin e Presidentit Thaçi.  Nëpërmjet një veprimi të tillë ajo i doli kundër edhe pozicionit të saj të dikurshëm, por vetëm në mënyrë të tërthortë.

Në komentet e saj, Osmani ka sulmuar vetëm presidentin e vendit, Hashim Thaçin, për tejkalimin e kompetencave të tij përmes Dekretit që u kontestua nga ana e Lëvizjes Vetëvendosje. Ajo nuk përmend fare nenin 82, në qendër të argumentit të Vetëvendosjes, ku deklarohet se “Presidenti mund të shpërndajë Kuvendin pas mocionit të suksesshëm të mosbesimit” me të cilin sipas partisë së Kurtit del që askush përpos VV’së s’ka të drejtë të bëjë qeveri dhe se vetmja alternativë janë zgjedhjet.

Osmani e konsideron veprimin e Presidentit të njëanshëm dhe që shkel ndarjen e pushteteve. Çështja e ndarjes së pushteteve zë pjesën më të madhe të reagimit të saj. Ajo qendër të argumentit të saj ka “mos-përcaktimin e afatit kohor” për dhënien e mandatarit nga partia e parë.

Kujtojmë që Thaçi e kishte interpretuar si refuzim mos-dhënien e emrit nga Vetëvendosje, edhe pas katër letrash të adresuara drejt tyre. Kryetarja Osmani konsideron që nuk ka pasur “refuzim formal” për mos-dhënie të emrit.

Pwr dallim nga Osmani, Kryeministri në detyrë Kurti, në komentet shumë më të gjata,  nuk merret thjesht vetëm  me presidentin Thaçi për ta adresuar çështjen, por shqyrton nenin 82, atë 95 dhe bën një analizë krahasuese me kushtetutat e vendeve të tjera (megjithëse, kësaj here nuk përmend Kushtetutën e Serbisë).

Por pse Osmani merret vetëm me presidentin në komentet në fjalë?

Vetëvendosje duket se e ka kuptuar që mos-përcaktimi i afatit kohor varet nga mënyra se si kuptohet folja “mund” në paragrafin e dytë të nenit 82 të Kushtetutës.

“Kuvendi mund të shpërndahet nga presidenti i Republikës së Kosovës, pas votimit të suksesshëm të mosbesimit të Qeverisë.” – thotë ky paragraf.

Nëse interpretohet që Presidenti mund të mos shpërndajë Kuvendin, atëherë kjo do t’i jepte tjetër kuptim edhe mos-përcaktimit të afatit të Kushtetutës, duke e lënë këtë mos-përcaktim afati pa domethënie kushtetuese dhe “refuzimin formal” të kërkuar nga Osmani krejtësisht të panevojshëm.

Në vitin 2014, Vjosa Osmani besonte që koalicioni VLAN e kishte mundësinë të formonte qeverinë edhe pas aktvendimit të famshëm të Gjykatës Kushtetuese KO113/14, dt. 1 korrik 2014, ku partisë që kishte dalë e para i jepej e drejta për propozimin e kryetarit të Kuvendit.

Por, i njëjti aktvendim i jepte presidentit (në atë rast, presidentes Jahjaga) të drejtën e diskrecionit në rast se mandatari i partisë së parë dështonte në formimin e Qeverisë. Pra, koalicioni VLAN e kishte mundësinë e krijimit të Qeverisë Haradinaj II në atë kohë, e që mbrohej nga Osmani.

Kjo kishte qenë baza mbi të cilën Osmani kishte sulmuar ashpër Isa Mustafën për braktisjen e koalicionit VLAN dhe formimin e koalicionit me PDK-në që do ta bënte atë kryeministër ndërsa Thaçin president.

Nëse Osmani do të besonte që Mustafa nuk kishte asnjë mundësi tjetër që të vepronte marrë parasysh aktvendimit e mësipërm, atëherë natyrisht që kritika ndaj tij do të ishte krejtësisht jologjike. Duhet thënë, që pas emërimit si kandidate për kryeministre, Osmani e kishte konsideruar Qeverinë Mustafa, që përbëhej nga PDK-LDK, si më të suksesshmen pas lufte.

Kryetarja e Kuvendit në fakt e kuptonte që vetëm partia e parë nuk e kishte mundësinë që ta formonte Qeverinë. Dhe kjo frymë kushtetuese është e bartur edhe te rasti i mocionit të suksesshëm të mosbesimit ndaj Qeverisë. Një gjë e tillë e bën të kuptimshme fokusimin e Osmanit thjesht me afatin kohor për dhënien e mandatarit dhe jo edhe me shqyrtime të tjera ashtu siç kishte bërë Kurti.

(Kosova sot Online)