Jemi më të shtypurit, më të diskriminuarit: Letra emocionale që mori refuzimin nga Kurti

  • 15 May 2020 - 17:27
 Jemi më të shtypurit, më të diskriminuarit: Letra emocionale që mori refuzimin nga Kurti

Sot u raportua se Qeveria Kurti e kishte ndërmend ta prishte zakonin për ndriçimin e ndërtesës së Qeverisë me ngjyra të ylberit – në shenjë të përkrahjes të komunitetit LGBTI për 17 maj, ditën kundër Homofobisë.

Organizata “Dylberizm” që merret me mbrojtjen e të drejtave të këtij komuniteti, ka publikuar për media edhe letrën që i ka dërguar kryeministrit Kurti që të shënohej dita Kundër Homofobisë.

Në këtë letër tregohej se si komuniteti në fjalë ishte ende shumë i shtypur dhe i diskriminuar në shoqërinë kosovare.

“Edhe pse shteti i Republikës së Kosovës qëndron mirë me kornizën ligjore karshi të drejtave LGBTIQ+, ligji nuk zbatohet për t’u vënë drejtësia ndaj rasteve të ngacmimeve kundrejt komunitetit tonë, dhe niveli i homofobisë vazhdon të jetë i madh dhe shqetësues.” – shkruhet ndër tjerash në letër.

Po ashtu, aty kërkohet krijimi i politikave të mira që do të ndihmonin këtë komunitet.

Zyra e kryeministrit edhe pse fillimisht kishte pranuar kërkesën që të ndriçohej objekti i qeverisë, megjithatë më vonë kishte refuzuar duke i kërkuar “opsione të tjera”.

Kryeministri Kurti, megjithëse ka deklaruar se është për mbrojtjen e të drejtave të pjesëtarëve të LGBTI, nuk ka marrë pjesë në asnjërën prej Paradave të Krenarisë që mbahen përvitshëm më 10 tetor.

Nëse më 17 maj nuk do të ndriçohej objekti i Qeverisë me ngjyrat e ylberit, kjo do të ishte hera e parë që do të thyhej një traditë e tillë që ka filluar prej vitit 2014.

(Kosova Sot Online)