Ende pa vendim për hapjen e xhamive

  • 15 May 2020 - 22:06
 Ende pa vendim për hapjen e xhamive

E premtja i mblodhi këta qytetarë në oborrin e xhamisë së madhe në Prishtinë. Besimtarët e fesë Islame këtu po e falin namazin e xhumasë, por duke e respektuar distancen sociale.

Madje ka të tillë që këtë ritual fetar po e bëjnë edhe me maska, që rekomandohen si masë  mbrojtëse ndaj virusit korona.

Por, hyrja në xhami nuk lejohet pasi që të gjitha objektet fetare janë të mbyllura me vendim të qeverisë së Kosovës.

Madje ende nuk ka ndonjë datë të caktuar për rihapjen e tyre.

Ndërkohë para disa ditësh qarkulluan disa lajme se të njëjtat do të rihapen këtë të premte.

Mirëpo zëdhënësi i Bashkësisë Islame të Kosovës, Ahmet Sadriu, ka hedhur poshtë këto pretendime duke thënë se ato janë bërë nga një person i pa autorizuar.

Sadriu shton se kjo ka qenë vetëm një kërkesë e imamëve që të jenë prezent në xhami, për shkak të pagesave që bëhën zakonisht.

Edhe myftiu i Kosovës Naim Tërnava u ka bërë thirrje qytetarëve që të presin edhe pak ditë për rihapjen e xhamive.

Ndërkohë, Shoqata Humanitare Bamirëse “Bereqeti” ka organizuar një aksion të quajtur sofra e ramazanit, për hir të muajit të shenjtë.

Kjo u mbështet këtë të premte nga Ambasada Amerikane në Kosovë, të cilët dhuruan 25 pako ushqimore.

(Kosova Sot Online)