Këto janë bizneset që do të nisin punën nga e hëna

  • 16 maj 2020 - 08:10
Këto janë bizneset që do të nisin punën nga e hëna

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka njoftuar se nga dita e hënë do të ketë hapje më të madhe të ekonomisë dhe lëvizje të shtuar të qytetarëve meqenëse do të hyjmë në Fazën e 2 të lirimit të masave. Nga kjo ditë, do të lejohet dalja dy herë në ditë nga dy orë, sipas shifrës së parafundit në numrin personal të letërnjoftimit.

Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Kurti ka treguar se do të hapen floktarët dhe sallonet e ondulimit, stomatologët dhe fizioterapeutët, tregtarët me pakicë dhe tregu i gjelbër, gastronomia, transporti hekurudhor, transporti urban dhe ndër-urban, qendrat e thirrjeve telefonike dhe galeritë dhe muzetë.

Ai ka bërë thirrje që të vazhdohet mbajtja e distancës dhe maskave dhe të mbahet higjiena, në të kundërtën do të rikthehen masat rigoroze.

“Prandaj, çdo lëvizje është e arsyeshme vetëm nëse është e domosdoshme. Me kujdes të shtuar të vazhdojmë të mbajmë distancën, të vendosim maska fytyrës e të ruajmë pastërtinë. Përndryshe, duhet t’i rikthejmë masat rigoroze sepse do të na rikthehet vala e pandemisë së virusit Corona. Por, bashkë, ama vetëm bashkë, do të fitojmë”, ka shkruar Kurti.

Ndryshe, mbrëmë janë testuar gjithsej 236 mostra të marra nga Klinika Infektive dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren.

Nga testimi i këtyre mostrave, kanë rezultuar pozitive 10 raste.

Image

(Kosova Sot Online )