Gjermania ndan 57 miliardë euro ndihma për komunat

  • 16 May 2020 - 13:39
 Gjermania ndan 57 miliardë euro ndihma për komunat

Ministri gjerman i financave, Olaf Scholz, është duke punuar në një pako të ndihmave me 57 milairdë euro për t’i ndihmuar komunat shkaku i rënies së të hyrave nga taksat, efekt i krizës së koronavirusit.

Ekonomia më e madhe e Evropës është duke u përballur me recesionin më të madh që nga Lufta e Dytë Botërore, ndonëse masat kufizuese kanë filluar të lehtësohen para disa javëve. Rënia e aktivitetit të bizneseve ka shkaktuar pakësim të të hyrave nga taksat dhe komunat kanë mbetur pa mjete.

Pakoja ndihmëse e ministrit Scholz ka për qëllim që të ofrojë ndihmë për qytetet për t’i stabilizuar financat, thuhet në një dokument të Ministrisë së Financave, të parë nga agjencia e lajmeve, Reuters.

“Kjo mburojë jo vetëm që duhet t’i nxjerrë qytetet dhe komunat nga situata e vështirë, por edhe t’ua bëjë të mundur që punën e tyre ta kryejnë edhe më mirë”, citohet të ketë thënë ministri gjerman.

Qeveria federale po kërkon që 16 qeveritë rajonale ta mbulojnë gjysmën e kostos së kësaj pakoje, ndërsa kuvendi duhet ta miratojë atë para fundit të këtij viti, thuhet në këtë dokument.

Pritet që ministri i financave të japë më shumë hollësi për këtë pako më vonë gjatë ditës së shtunë, shkruan “Reuters”,

(Kosova Sot Online)