Nesër protestohet para Ministrisë së Arsimit

  • 18 May 2020 - 16:56
 Nesër protestohet para Ministrisë së Arsimit

Organizata Studentore, Studim Kritikë Veprim përmes një njoftimi për media ka bërë të ditur se nesër në ora 11:00 do të protestohet para Ministrisë së Arsimit.

Nga kjo organizatë studentore kanë kërkuar që t’i bashkohen në protestë edhe studentë tjerë të UP’së teksa kanë sqaruar se po protestojnë si kundërshtim për emërimet e fundit në Këshill Drejtues.

“Nesër prej orës 11:00 duke respektuar rekomandimet e Institutit të Shëndetit Publik dhe duke ruajtur distancën sociale, ftojmë studentët e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” të na bashkohen në protestë kundër vendimit të padrejtë të Ministrisë së Arsimit për emërimin e tre personave në Këshillin Drejtues, dy prej të cilëve janë shërbyes të kolegjeve private. Si organizata studentore para disa ditësh kemi bërë thirrje që ky vendim të zhbëhet por sot ministrja ka refuzuar një gjë të tillë. Andaj ne jemi të detyruar të protestojmë kundër këtij vendimi e kësaj qasje. MAShT fokus parësor duhet të ketë ngritjen e Universitetit të Prishtinës dhe jo minimin e brendshëm të tij nga influencat e kolegjeve private”, thuhet në njoftim.

“Vendimi për emërimin e punonjësve të kolegjeve private në Këshillin Drejtues të UP-së, është cënim i autonomisë së UP-së, është i papranueshëm dhe e vë në rrezik cilësinë e arsimit të lartë në vendin tonë. Për neve si e tillë do të jetë një çështje që do t’i shkojmë deri në fund, siç i kemi shkuar rastit të ish rektorit Ibrahim Gashi, ish prorektores Teuta Pustina dhe rasteve të tjera të profesorëve që janë shkarkuar për arsye të ndryshme. Universiteti është yni, ne nuk do të heqim dorë nga ai, siç nuk kanë hequr dorë as prindërit e gjyshërit tanë që nga viti 1968 e deri më sot. Shihemi nesër në aksionin protestues”, thuhet në njoftim.

(Kosova Sot Online)